Mbrojtja kërkon lirimin e Thaçit, përmend se Policia ka ofruar garanci

Avokati mbrojtës i ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, Gregory W. Kehoe, përmes një shkrese ka renditur argumente për lirimin në arrest shtëpiak të Thaçit.
Ndër të tjera në shkresën e avokatit Gregory W.Kehoe përmendet siç thotë ai, edhe garancia dhënë nga Policia e Kosovës dhe garancitë e vendeve të treta.
Mbrojtja ka theksuar se Thaçi mund të lirohet sipas kushteve që i konsideron të nevojshme Gjykata e Procedurës Paraprake.
Në fund mbrojtja thotë se Gjykata e Procedurër paraprake duhet të thërras në seanca dëgjimore, Policinë e Kosovës dhe përfaqësuesit e Qeverive të vendeve të treta që kanë ofruar garanci për mbajtjen e Thaçit në arrest shtëpiak.
Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, është akuzuar më 5 nëntor të vitit të kaluar.
Sipas aktakuzës, Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi dyshohen për veprat penale që kanë të bëjnë me krime lufte: ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme dhe krime kundër njerëzimit: burgosje, akte të tjera çnjerëzore, zhdukje me forcë të personave dhe përndjekje, të cilat, sipas Dhomave të Specializuara, janë kryer midis marsit të vitit 1998 dhe shtatorit 1999.
Krimet pretendohet se janë kryer në disa lokacione të Kosovës dhe në veri të Shqipërisë, përkatësisht në Kukës dhe Cahan.
Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar – që ndryshe njihen edhe si Gjykata Speciale – hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.
Këto krime të pretenduara përmenden në një raport të Këshillit të Evropës, të vitit 2011, autor i të cilit është senatori zviceran, Dick Marty./21Media 

Back to top button