Mbyti një person dhe një foshnje të palindur, shoferi u dënua vetëm me kusht!

 

Kanë kaluar dy vjet që kur Natasha Apostolloska, në një aksident trafiku e ka humbur bashkëshortin e saj dhe foshnjën e pa lindur. Ajo ka marrë lëndime të rënda trupore. Përmes fotografive të përbashkëta me bashkëshortin e saj të ndjerë, Goce, mundohet ta zbusë dhimbjen. Por, aktvendimi i së premtes i hapi plagët e dy viteve më parë. Personi Vasil Ç, i cili i ka goditur me veturë Jeep e ka pranuar se para dy vjetëve ka kaluar në dy linja të plota, por gjykatësja Elena Ilievska Josifoviq i shqiptoi dënim me kusht.

“Gjykatësja e cila e udhëhiqte lëndën shqiptoi dënim me kusht për vrasje, humbje të foshnjës gjatë shtatzënisë dhe lëndime të rënda trupore, për shkak se dje nuk ka gjetur kohë dhe interes të paraqitet në sjelljen e vendimit. Edhe pse bëhet fjalë për lëndë ku kemi viktimë, ndoshta për ata janë vetëm lëndë, por megjithatë bëhet fjalë për jetë”, deklaroi Natasha Apostollovska.

Në rrjetet sociale reagoi edhe babai i të ndjerit.

“Ne do të dënohemi nëse ankohemi, ndërsa ai që ka marrë jetë dhe shkatërroi jetën e familjeve është i lirë? Ky është fati jonë, prokurori dhe zinxhir plot me nyje. Nuk guxoj të shkruaj ndonjë fjalë të keqe në Facebook për shkak se mund të vijnë dhe të thonë se unë jam fajtor. Tani le të vendosë populli se çfarë gjykate dhe shtet të së drejtës kemi”, shkroi babai i Goces.

Ish anëtari i Këshillit gjyqësor, Bekim Rexhepi, thotë se vendimi i gjykatës është i pandershëm. Megjithatë, shtoi se Gjykata e Apelit do ta ketë fjalën e fundit.

“Në shikim të parë është vendim jo i ndershëm por para së gjithash duhet mendim i eksperizës dhe kualifikim i veprës. Por nga gjithë kjo e keqe, e mira dhe më e rëndësishmja e këtij rasti është se vendimi nuk është i plotfuqishëm. Apelimi i këtij vendimi do të qartësojë gjithçka, tha Bekim Rexhepi, ish anëtar i Këshillit Gjyqësor.

Shoferi i veturës jeep është Vasil Ç. drejtor i një kompanie, 64 vjeç , nga Tetova. Seanca e parë gjyqësore për lëndën është mbajtur para katër ditëve dhe Vasil Ç. menjëherë e ka pranuar fajin. Pritet vendimi i PTHP Shkup nëse do ta ankimojë aktvendimin. Arsyeja për dënimin me kusht, siç thuhet në aktvendim, është se personi e ka pranuar fajin, raporton TV21./21Media

Back to top button