Më 1 shtator fillon mësimi në objektet shkollore në Fushë Kosovë

 

Komuna e Fushë Kosovës ka vendosur që mësimin ta fillojë në objektet shkollore më 1 shtator. Kryetari i kësaj komune, Burim Berisha, bëri të ditur se pas vendimit të Qeverisë së Kosovës që komunat janë kompetente për vlerësimin e mundësisë së fillimit të vitit të ri shkollor,  si komunë kanë vendosur që procesi mësimor të fillojë më 1 shtator 2020.

“Janë bërë të gjitha përgatitjet që procesi mësimor të fillohet sipas modaliteteve të përcaktuara nga Drejtoria e Arsimit. Muaji shtator dhe tetor sigurisht se do të jenë më të vështirë deri sa të normalizohet procesi”, u tha më tej.

Ndërsa, drejtori komunal i arsimit, Islam Shabani, tha se do të punojnë shumë që të zbatojnë rekomandimet e IKSHPK-së për një fillim të vështirë, por të domosdoshëm dhe të nevojshëm të procesit mësimor.

“Mësimi do të fillojë në grupe sipas planit dinamik të hartuar, pastaj orari do të jetë i shkurtër dhe pa pushim. Si sfidë e shohim ndarjen e nxënësve nëpër grupe, krijimin e distancës, por më e vështira do të jetë transporti i nxënësve të shkollave të mesme nga fshatrat për në Fushë Kosovë ku shumica e nxënësve udhëtojnë me autobus. Si sfidë e shohim edhe zëvendësimin e arsimtarëve por që në koordinim me ministrinë e Arsimit, shpresojmë të gjejmë zgjidhje. Lëndët kryesore do të jenë prioritet i zhvillimit të procesit mësimor.”, thuhet në njoftimin e komunës.

Dr.Osman Maxhera, drejtor i QKMF paraqiti një raport të detajuar për situatën epidemiologjike në komunën e Fushë Kosovës ku paraqiti edhe raportin e fundit të të infektuarve me Covid-19, duke shtuar se edhe përkundër një rënie të numrit të infektuarve gjatë muajit gusht, gjendja nuk është e mirë. Sa i përket fillimit të procesit mësimor dr.Maxhera tha se kriter i vetëm për të filluar mësimin është respektimi i masave të dhëna nga IKSHPK.

Pjesë e diskutimeve në këtë takim ishin edhe Fadil Krasniqi – nënkryetar i komunës, kapiten Argjent Gashi nga stacioni i policisë në Fushë Kosovë, Misin Berisha i cili foli për angazhimet dhe sfidat e kompanisë “Pastrimi”, si dhe Qerim Gara zv.kryesues i Kuvendit komunal, i cili paraqiti gjendjen e komuniteteve në përballje me pandeminë Covid-19.

Në fund të takimit kryetari Berisha tha se në bazë të diskutimeve si shtab e vlerësojnë që procesi mësimor të fillojë më 1 shtator, duke i dhënë liri të plotë veprimi Drejtorisë komunale të Arsimit dhe drejtorëve të të gjitha shkollave në komunën e Fushë Kosovës./21Media

Back to top button