Miratohet Mendimi Juridik lidhur me veprën penale – Mosveprimi sipas dispozitave shëndetësore gjatë epidemisë

 

Është miratuar Mendimi Juridik lidhur me veprën penale-Mosveprim sipas dispozitave shëndetësore gjatë epidemisë nga nenin 250 i KPRK-ë duke pasur parasysh vendimin e Qeverisë së Kosovës. Miratimi i saj u bë në seancën e përgjithshme të Gjykatës Supreme.

“Ky mendim juridik është nxjerrë pas kërkesës së Gjykatës Themelore në Gjilan, gjykatë kjo që ka pranuar disa aktakuza nga prokuroria që kanë të bëjnë me shkelje të vendimit të qeverisë, me të cilin ishte ndaluar qarkullimi i lirë i qytetarëve. Ndaj, përmes këtij Mendimi Juridik, është sqaruar se vepra penale e “Mosveprimit sipas dispozitave shëndetësore gjate epidemisë” nga neni 250 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës, nuk mund të konsiderohet e konsumuar nga i dyshuari kur kemi te bëjmë me shkeljen e vendimit në fjalë”, thuhet në komunikatën për media.

“Kjo vepër penale mund të konsiderohet e konsumuar vetëm kur kemi të bëjmë me vendime individuale që organet kompetente të autorizuara me ligj, kanë lëshuar ndaj cilitdo person apo grupi personash për ndonjë masë konkrete që ai/ata të mos veprojnë”, sqarohet mes tjerash në Mendimin Juridik të Gjykatës Supreme.

Gjatë seancës është diskutuar edhe për menaxhimin me pandeminë, me ç’rast kryetari i Gjykatës Supreme, Enver Peci ka kërkuar që të mos keqpërdoret situata me pandeminë për të munguar në punë, por të shfrytëzohen pushimet vjetore nga gjyqtarët dhe stafi mbështetës./kp

Back to top button