Më 19 mars rundi i ri i dialogut mes kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë
Më 19 mars, Bashkimi Evropian ka thirrur një takim të dialogut për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë në nivel të kryenegociatorëve.
Radio Evropa e Lirë mëson nga burimet e saj diplomatike se në këtë takim pritet të diskutohet për planin e sekuencimit për zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë për çështje të tjera, me mundësinë e përfshirjes në diskutime edhe të çështjes së dinarit serb.
Këtë takim e konfirmoi edhe i dërguari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar. Pas një takimi me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, emisari amerikan tha se pret që Qeveria e Kosovës të jetë fleksibile në këtë takim.
Kryenegociator i Kosovës është Besnik Bislimi, ndërkaq ai i Serbisë është Petar Petkoviq.
Për çështjen e dinarit, Kosova dhe Serbia kanë diskutuar në Bruksel në fund të shkurtit. Por, në atë takim, ku Kosova u përfaqësua nga guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Ahmet Ismaili, nuk pati ndonjë rezultat.
Më 1 shkurt ka hyrë në fuqi një rregullore e BQK-së, që parasheh euron si valutën e vetme për pagesa në Kosovë, duke ndaluar përdorimin e dinarit serb.
SHBA dhe BE kanë kritikuar këtë vendim, duke thënë se ai është marrë pa konsultime paraprake dhe pa marrë parasysh ndikimet negative te popullata serbe në Kosovë.
Uashingtoni i ka kërkuar Kosovës që të shtyjë zbatimin e vendimit, ndërkaq BE-ja po kërkon që kjo çështje të zgjidhet në kuadër të dialogut që ajo ndërmjetëson.
Kosova ka thënë se çështja e dinarit është teknike dhe nuk duhet të përfshihet në dialogun politik për normalizimin e raporteve. Ndërkaq, Serbia kërkon një zgjidhje politike për këtë çështje./Radio Evropa e Lirë