Më 21 dhjetor nënshkruhen marrëveshjet mes Serbisë dhe Shqipërisë

Presidenti i Serbisë do të jetë në një vizitë dyditore në Tiranë, në kuadër të nismës “Ballkani i Hapur” ku do të zhvillojë takim me kryeministrin Edi Rama dhe atë të Maqedonisë së Veriut.
Në total pritet të nënshkruhen gjashtë marrëveshje, duke përfshirë edhe “Marrëveshjen për Kushtet për Qasje të Lirë në tregun e punës në Ballkanin Perëndimor.”
Aleksandër Vuçiç do të zhvillojë sot një darkë të përbashkët në Tiranë ku do të ketë një takim  joformal me Edi Ramën dhe Zoran Zaev, ndërsa për nesër janë planifikuar disa takime, kanë thënë për Tanjug burime nga Presidenca e Serbisë.
Më 21 dhjetor në Pallatin e Brigadave në Tiranë do të mbahet takimi i tre zyrtarëve dhe anëtarëve të delegacioneve me përfaqësuesit e Këshillit Atlantik, ku do të diskutohet për Planin Strategjik për Ballkanin e Hapur 2022.
Më pas do të vijojë ceremonia e nënshkrimit të marrëveshjeve trepalëshe dhe dypalëshe, e më pas Forumi Rajonal për Bujqësi dhe Bashkëpunim Rajonal, ku do të marrin pjesë zyrtarë, ministra të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, rektorë të universiteteve bujqësore dhe përfaqësues të dhomave të tregtisë. Në fund të tre liderët do të mbajnë një konferencë të përbashkët për shtyp.
Pritet që të nënshkruhet Marrëveshja për Kushtet për Qasje të Lirë në tregun e Punës në Ballkanin Perëndimor, Marrëveshja për Lidhjen e Skemave Elektronike të Identifikimit për Qytetarët dhe Marrëveshja për Bashkëpunim në Veterinarinë, Fitosanitare dhe Sigurinë e Ushqimit.
Do të nënshkruhet gjithashtu një marrëveshje për bashkëpunimin midis organeve të akreditimit në Ballkanin Perëndimor.
Në një letër të hapur, Vuçiç, Rama dhe Zaev ftuan të gjithë në rajon t’i bashkohen nismës Ballkani i Hapur. Ata edhe një herë u bënë thirrje të gjithë fqinjëve që të mblidhen dhe t’u ofrojnë qytetarëve të tyre përfitimet që ofron kjo nismë.
Agjenda e plotë:
E hënë, 20 dhjetor
Ora 18:30 Mbërritja e delegacioneve në Elbasan, Fish City
Ora 19:00 Darkë joformale e 3 kryeministrave, Rama, Vuçiç dhe Zaev me delegacionet
E martë, 21 dhjetor
Ora 09:00 Mbërritja e Vuçiç dhe Zaev me delegacionet në Pallatin e Brigadave në Tiranë
Ora 09:05 Takimi i 3 liderëve, Rama, Vuçiç, Zaev
Ora 09:30 Seancë plenare
Ora 10:30 Pushim për kafe
Ora 10:45 Diskutim i liderëve për Axhendën e Ardhshme për Ballkanin e Hapur
Ora 11:30 Ceremonia e nënshkrimit
Ora 12:00 Forumi Rajonal për Bujqësi dhe Bashkëpunim Rajonal
Ora 13:00  Konferencë e përbashkët për shtyp e tre liderëve të Iniciativës Ballkani i Hapur
Ora 14:00 Dreka zyrtare
Ora 16:00  Nisja e delegacioneve./oranews

Back to top button