Me orë presin në rrugë për të punuar diçka!

 

Çdo ditë zgjohen nga ora 6 të mëngjesit dhe presin në rrugë për të kërkuar punë.

Në këtë vend mund t’i gjesh edhe tani në të ftohtë, por edhe kur temperaturat janë të larta.

Këta janë disa nga banorët e Kërçovës të cilët i takoi TV21 dhe të cilët presin që dikush të vijë t’i marr për të kryer ndonjë punë krahu.

Ata thonë se aty rrinë gjatë gjithë ditës, ndërsa ka ditë kur nuk i angazhon askush.

 “Ne këtu dalim nga ora 7 dhe presim punë private, unë kam punuar në Prom Kërcova deri në vitin 1993, nga 93 nuk punoj por tani kam djem dy janë të rijnë nuk ka vende për punësim kam edhe një vajzë të sëmurë, të drejtën sociale ja kanë ndërprerë që duhet të marr para. Shkojmë 20 euro-25 euro gjatë verës, punojmë punë fizike”, tha një banor.

 “Të themi se nxjerrim para për një darkë ta dërgojmë në shtëpi, nëse nxjerrim, nëse nuk nxjerrim si Zoti nuk është askush. Nga ora 6:30. 7:00 jemi këtu nëse na thirr dikush punojmë deri në ora 18 me pagë ditore 25 euro, shkojmë edhe nga dy persona”, u shpreh një tjetër banor.

 “I shoh këta miqtë dhe shokët si presin këtu punë, dhe më vjen keq. Është për keqardhje kjo situatë e njerëzve të varfër të cilët presin punë dhe nuk kanë”, shtoi një tjetër banor.

Statistikat  e fundit flasin se në gjithë Maqedoninë në muajin dhjetor të vitit që lamë pas, si të pa papunë janë evidentuar 156432 persona. Ndërsa në Komunën e Kërçovës në Agjencinë për punësim janë evidentuar 4073 persona të pa punë edhe atë 2611 persona nga qyteti dhe 1462 nga fshatrat e vendit dhe kryesisht të moshave mbi 40 vjet./21Media

Back to top button