Me përplasje e akuza Kuvendi i Kosovës debatoi tetë orë për situatën në veri

(Lajm i përditësuar)


Me përplasje e akuza Kuvendi i Kosovës debatoi tetë orë për siutatën në veri

Pas më shumë se tetë orëve, ka përfunduar debati parlamentar për situatën në veri. Opozita ka hedhur kritika ndaj pushtetit për zhvillimet e fundit në katër komunat veriore.

Ata kanë debatuar për sulmet nga protestuesit serbë, sanksionet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe zgjedhjet e jashtëzakonshme në Mitrovicën e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok e Zveçan.

Tash e gjashtë ditë, serbët e Kosovës po protestojnë para objekteve komunale në këto komuna. Ata po kundërshtojnë kryetarët e komunave të zgjedhur në zgjedhjet e 23 prillit dhe prezencën e policëve të Kosovës pranë këtyre objekteve.

Të hënën, protestuesit, disa prej tyre me maska, kanë ushtruar dhunë ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, Policisë së Kosovës dhe gazetarëve. Ata kanë hedhur gjësende të ndryshme në drejtim të paqeruajtësve, derisa kanë dëmtuar vetura të mediave.

Si pasojë e protestave të dhunshme janë plagosur 30 ushtarë të KFOR-it.

Shtetet e Bashkuara kanë kritikuar Kosovën për përshkallëzimin e tensioneve me Serbinë, derisa kanë anuluar edhe pjesëmarrjen e vendit në një stërvitje ushtarake të NATO-s “Defender 23”, pasi qeveria ka refuzuar t’i tërheqë kryetarët e komunave dhe forcat policore nga ndërtesat komunale.


Debatojnë ashpër Qalaj e Bajqinovci: Po rren, frikohesh se të rrahin

Në debatin parlamentar për situatën në veri, kanë debatuar ashpër edhe deputeti i PDK-së, Rashit Qalaj me deputetin e LVV-së, Mefail Bajqinovci. Për këtë të fundit, deputeti Qalaj tha se kishte dërguar intervenca për t’u takuar me ish-kryetarin e PDK-së, Kadri Veseli për të intervenuar lidhur me një çështje.

Ani se Qalaj nuk bëri të ditur se për çfarë qëllimi ka kërkuar të takohet me Veselin.

Një gjë të tillë e ka mohuar Bajqinovci, i cili ia përmendi një rast, ku sipas tij, janë numëruar para në emër të krimeve ekonomike gjatë kohës sa ai ka qenë në krye të policisë.

Deputeti i PDK-së, Rashit Qalaj ia ka përmendur me emrin, personin për të cilin tha se Bajqinovci kishte dërguar intervevenca.

“A të kujtohet Mefail sa intervenimet i ke bërë për të takuar dikë të PDK-së me ta prit dikë tëndin, a të kujtohet? Mu më ke dërguar vet. A e din, këtu te zotëri Kadri Veseli, me pranua një familjar tëndin për diçka, a të kujtohet? A po e don me emër? Mos rrej, qetësohu. Ke dërguar te zotëri Kadri Veseli për ta pranuar Avniun që është në Neë York, pse po gënjen Mefail. Pranoje kur të gënjesh. Bëhu burrë. E di që të bërtasin, të rrahin, por më fal. Mefail të lutëm, a të kujtohet?”, e ka pyetur Qalaj Bajqinovcin.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci ka mohuar një gjë të tillë, duke thënë se nëse nuk është e vërtetë një rast i krimit ekonomik, ai do të kërkojë falje.

“Këta e kanë stil me thënë, a e mban mend kur kemi takuar, kur ke dashur të vish me Hashimin. Unë ju siguroj dhe ju garantoj që kjo është e pavërtetë. Ato që i thash unë në Kuvend që kolegët e tij janë marr me krim të organizuar, ata kolonelë, ata nënkolonelë ata majorë që kanë qenë të suspenduar, nëse nuk është e vërtetë, unë dalë publikisht kërkoj falje. Më fal, por kjo është e vërtetë janë numëruar parat në emër të krimeve ekonomike, ti ke qenë shef aty”, ka vijuar ai.

Deputetë po vazhdojnë të diskutojnë në Kuvend për situatën në veri.


Kastrati sfidon Gërvallën: A e bëjmë një kuiz bashkë se je bërë monoton?

Deputeti i PDK-së, Ardian Kastrati tha se nuk duhet të mbrohet deklarata e kryeministrit Albin Kurti për sekretarin amerikan Antoni Blinken.

Derisa iu ka drejtuar zëvendëskryeministres Donika Gërvalla, duke ftuar për ta bërë një kuiz, me pyetjen se kush është fajtor për sanksionet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në debatin parlamentar për situatën në veri, Kastrati tha se Albin Kurti është bërë merak që të hyjë në histori.

“Ministre, a po më ndihmon e bëjmë një kuiz bashkë se po më duket je bërë monoton edhe je lodhë. A e din se i keni fut këta në qorr-sokak për të mbrojtur deklaratën ‘Blinkeni është naiv’. Më mirë ka qenë për të bërë një kuiz edhe me përgjigje, a, b, c. Për shembull, unë po e bëjë një pyetje, kush është fajtor me axhën që kemi sanksione? Ju thoni nën-a, Albini për shkak të deklaratës, nën-b Blinkeni, nën-c FSK. Por, ti mos ja bëjë me sy me ja dhënë gabim kështu përgjigjen, se jeni dreqër e bëni nganjëherë këtë send”, deklaroi ai.

Ai shtoi se në emër të sovranitetit janë ngujuar katër kryetarët e komunave në veri të vendit.

Kastrati: Albin Kurti bën turr e zbythje
(Video)

“Gjithmonë është nevoja për të përsëritur disa gjëra, sidomos trajektorja se si kemi ardhur deri këtu. Pra, ka qenë për shkak të targave, teneqeve, që ky bënte yrysh. Sepse aleatët i kërkonin shtyrje 10 muaj për të shmangur një situatë krize, të cilën Rusia do ta shfrytëzonte për të hapur një front të dytë për të shpërqendruar NATO-n nga lufta në Ukrainë. Është hera e parë që aleatët tanë na kërkojnë një favor gjeo-politik, të kërkojnë që ne në kontekstin e sigurisë globale për herë të parë të ja bëjmë një argat dhe ne dështojmë. Pse? Sepse ky (Albin Kurti) bën turr e zbythje, turr e zbythje, turr e zbythje. E njëjta është me katër kryetarët”, shtoi Kastrati.

Pas shumë orëve, po vazhdon debati parlamentar për situatën në veri.


Gërvalla debaton me Musliu-Shoshin: Deklarata juaj për shpalljen e pavarësisë dëshmon papjekuri

Zëvendëskryeministrja Donika Gërvalla ka debatuar ashpër me deputeten e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi.

Për deklaratën e kësaj të fundit në lidhje me shpalljen e pavarësisë, kryediplomatja tha se dëshmohet papjekuria politike.

Ndërkaq, deputetja e opozitës tha se Gërvalla është turp se si nuk ka arritur të sigurojë asnjë njohje që nga fillimi i mandatit të saj.

Gjatë debatit parlamentar për situatën në veri, ministrja e Punëve të Jashtme, Gërvalla ka replikuar për deklaratën e Musliu-Shoshit, e cila gjatë ditës deklaroi se Kosova nuk ka pasur të drejtë ta shpall pavarësinë.

“Deklarimi juaj, po e citoj që ‘Kosova nuk ka pasur të drejtë të shpall pavarësinë’, dëshmon jo vetëm papjekurinë tuaj totale politike, por shtron edhe pyetjen e asaj se a keni dëgjuar ndonjëherë për Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila e ka konfirmuar për të gjithë botën që Kosova ka pasur të drejtë të shpall pavarësinë e saj dhe që pavarësia e Republikës së Kosovës është një akt legjitim”, deklaroi Gërvalla.

Për këtë ka reaguar edhe deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi e cila i tha krye diplomates që është ‘marre’ që nuk ka siguruar asnjë njohje gjatë mandatit të saj.

 

“Donikë, të lutem koncentrohu në atë se çfarë po fol. Kosovën edhe para vendimit të GjND-së e kanë njohur Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Nuk po e kontestoj unë Pavarësinë e Kosovës, të gjitha shtetet që e kanë njohur Republikën e Kosovës, e kanë pasur përkrahjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Si kryediplomate, ma jep vetëm një shembull, një shtet që e ka njohur Republikën e Kosovës dhe Amerika nuk e ka përkrahur. Ti me ata përkrahësit e juaj që janë jashtë kuvendit mundoheni ta shtrembëroni këtë deklaratë dhe këtë fakt, ky është fakt. I fundit është Izraeli, që ti e nderuar nuk ke arritur prej Izraelit me sigurua as edhe një njohje të vetme. Është marre që ulesh në atë karrige dhe nuk arrin asnjë njohje ta sigurosh për dy vjet e gjysmë”, është kundër-përgjigjur Musliu-Shoshi.

Replikat kanë vazhduar edhe më tej, ku zëvendëskryeministrja e ka pyetur deputeten për deklaratën për shpalljen e pavarësisë se a është qëndrim individual apo i partisë.

Deputetja Musliu-Shoshi ka kërkuar nga ajo që të kërkojë falje, meqë sipas saj, në Këshill të Sigurimit të OKB-së, ministri Ivica Daçiq e ka falënderuar Donika Gërvallën.

Deputetët po vazhdojnë të diskutojnë për situatën në veri të Kosovës


Lekaj fton të gjithë deputetët e Kuvendit të shkojnë në veri

Gjatë seancës së sotme të Kuvendit deputeti i AAK-së Pal Lekaj,i ftoi  të gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës që të bëhen bashkë dhe të shkojnë në veri të Kosovës.

“Hajde 110 deputetë të shkojmë në veri e jo të bëjmë llafe këtu”, tha ai.

Derisa deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Alban Bajrami pati një kusht për Lekajn.

Është paska qesharake të trajtohet kështu, por me kënaqësi do të shkonim nëse na kishte treguar rrugën deri te shtëpia e Radojiçiqit dhe Veselinoviqit, është diskutuar që keni shkuar më herët, pasi kanë shkuar edhe tjerët, shkojmë bashkë me juve”, tha  Bajrami

Kurse ndaj kësaj replike reagoi sërshish Lekaj.


Abdixhiku i kundërpërgjigjet Kurtit: Koordinimin e dini mirë si ai mbrëmë me telefon

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku i ka replikuar fjalëve të kryeministrit Kurti për çështjen e arrestimit të bandave në veri, i cili pyeti liderët opozitarë se a duhet ta bëjë këtë veprim me apo pa koordinim.

Sipas Abdixhikut edhe koordinimi për arrestimin e këtyre kriminelëve serbë duhet të bëhet sikur ai i mbrëmshmi me një telefonat.

“Se çfarë koordinimi duhet e dinë ti shumë mirë kryeministër. Si ai mbrëmë me telefon e di shumë qartë si ai mbrëmë qasi koordinimi për t’i arrestuar kriminelët, qashtu qysh e ke bërë mbrëmë, ose pak më herët nuk ka Zajednicë as aso e as këso, RTK asociacion ka qasi koordinimi me atë koordinim arrestoj kriminelët në veri”, u shpreh ai.

Kreu i LDK-së u shpreh se Kurti i cili Oliver Ivanoviqin e ka quajtur mendjemprehtë, sekretarin amerikan Blinken e quan naiv.

“Një njeri që ky kryeministër e ka quajtur mendjemprehtë e sekretarin amerikan të shtetit naiv, Oliver Ivanoviq sipas Kurtit mendje prehtë, Antony Blinken sekretar i shtetit naiv, ja patriotizmi i popullit të Kosovës dhe ju e duartrokisni. Ju mburreni me këtë“, tha ai.

Lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku në këtë debat parlamentar për situatën në veri kërkoi koordinim me SHBA-të për shtrirjen e sovranitetit në atë pjesë të Kosovës.

Sipas tij, koordinimi me aleatët është patriotizëm e kjo që po bënë kryeministri Kurti është tradhti.

“Me ta duhet të shtrojmë edhe sovranitetin në veri dhe ky dallim është substancial, sepse për neve është patriotizëm, e jotja çka po bënë është tradhti sepse të zgjedhësh politikisht të sjellës kundër Republikës së Kosovës dhe NATO dhe BE dhe SHBA dhe aleatët tanë me deklarata publike, të zgjedhësh të krijosh një vëmendje qytetare ditën kur Vuçiq përballet me një propagandë dhe ti asiston t’i heqësh këtë vëmendje atij dhe të marrësh këtë barrë në emër të Kosovës kjo nuk ka lidhje me patriotizëm dhe as me dinjitet. Nuk ka lidhje me dinijtet kjo është sjellje e papërgjegjshme fëmijërore është, popullsitë” ,tha ai.


​Kurti: Zvogëlimi i njësisë speciale në veri, kur të largohen bandat kriminale

Kryeministri Albin Kurti deklaroi se është për normalizim të situatës, por jo para arrestimit të bandave kriminale. Sipas tij, zvogëlimi i pjesëtarëve të njësisë speciale në veri të Kosovës do të ndodhë, por kërkon punë.

Në debatin parlamentar për situatën në veri, shefi i ekzekutivit u shpreh se policët janë në ndërtesa të komunës, për shkak se jashtë ka banda kriminale.

“Unë jam për një situatë normale, ku edhe nëpër komunat në veri të Kosovës nuk ka më shumë policë sesa në komunat tjera. Mirëpo, ka punë të arrijmë në atë pikë. Një herë duhet të largohen për në Serbi, ose të arrestohen në Kosovë, ose edhe nga forcat ndërkombëtare, sepse mund të kenë shkuar edhe në vende të treta. Ata ekstremistë nacional-shovinistë kriminelë të strukturave ilegale e paralele. Pra, një herë ata duhet të largohen ose të burgosen, e vetëm më pastaj ne mund ta konsiderojmë seriozisht zvogëlimin e njësisë speciale dhe pjesëtarëve të saj në komuna drejt normalizimit të plotë”, tha Kurti.

Kurti u shpreh se nuk mund të tolerohen protestat me thirrje për vrasje e sulmeve nga policëve.

“Në bazë të sondazheve që janë organizuar nga institucionet ndërkombëtare, mbështetja për Listën Serbe ka rënë në shtatë për qind. Pra, njëmend dalja ka qenë e ultë, por historikisht rejtingun më të ultë kurrë se ka pasur Lista Serbe. Çfarë tregon kjo? Kjo tregon që situata është e pjekur për parti të reja serbe. Edhe unë besoj që kjo duhet të ndodhë. Duhet të lindin parti të reja serbe. Edhe ato ekzistueset nuk duhet të jenë më nën tutelin e Beogradit dhe Listës Serbe. Asisoj kemi pluralizëm politik dhe kemi kampanjë fer”, përfundoi Kurti.

 


Abdixhiku: Kosova po humb aleatët dhe sovranitetin si pasojë e Kurtit

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka adresuar kritika ndaj kryeministrit Albin Kurti për situatën në veri.

Ai në seancën e sotme të Kuvendit, tha se Kosova ka gjasa të humb aleatët dhe sovranitetin si pasojë e politikës së gabuar të kryeministrit Kurti.

“Në një situatë të pamenduar më parë të paprecedent dhe të rrallë, Kosova ende vazhdon të sulmohet prej bandave, ndërsa kryeministri i Kosovës është në sulm fatkeq ndaj miqve dhe aleatëve tanë ndërkombëtar. Si rrjedhojë Kosova ka përfunduar e përballur me tension dhe paaftësi për të ushtruar detyrat bazike kushtetuese të kryetarëve të zgjedhur në mënyrë demokratike në veri, por ka përfunduar edhe me dënim, sanksione dhe penalizmi ndërkombëtar në përmasa të papara ndonjëherë më parë. Këto reagime të sekretarit Blinken, të Bashkimit Evropian, të NATO-s dhe shteteve më mike të Kosovës kundër shtetit tonë në një kauzë të drejt janë si pasojë e keq veprimeve diplomatike dhe strategjike të një njeriu të vetëm, atij që sot e mban postin e kryeministrit të Kosovës…Jo vetëm pa aleatë, por edhe me aleatë kundër nesh, vendi ynë nuk ka gjasë të shtrojë as sovranitetin, as integritetin dhe as stabilitetin. Vendi ynë ka gjasë të humbasë aleatët edhe sovranitetin. Këtë rrugë po na dërgon Albin Kurti sot. Edhe pa aleatë edhe pa sovranitet”, tha ai


Kusari-Lila: Nuk ka kthim prapa as në veri dhe as në jug, Kosova po ecë përpara me miqtë

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila në seancën e sotme të veçantë ku po diskutohet për situatën në veri thekoi se nuk ka kthim prapa as në veri dhe as në jug.

Ajo theksoi se Kosova nuk ka alternativë tjetër përveç të bashkëpunimit dhe bashkërendimit të veprimeve të saja me SHBA dhe aleatët tjerë.

“Kosova nuk ka alternativë tjetër përveç të bashkëpunimit dhe bashkërendimit të veprimeve të saja me SHBA-në dhe aleatët tjerë. Por, në këtë proces jemi kontribuues dhe kemi përgjegjësitë tona si përfaqësues të popullit kjo sfidë nuk duhet të na ndajë por të na bashkojë dhe qartësojë rrugëtimin tonë përpara konform Kushtetutës dhe ligjeve të vendit. Nuk ka kthim prapa as në veri dhe as në jug, Kosova po ecë përpara me miqtë e saj dhe vlerat të cilat populli ynë gjithmonë i përqafoi dhe i mbajti si të vetat”, u shpreh ajo.

Deputetja e LVV-së, theksoi se nga nëntori i vitit 2022 e deri sot asnjë veprim i institucioneve të Kosovës nuk është bërë në kundërshtim me ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës.

Që nga paslufta sipas Kusari-Lilës veriu i Kosovës u përdorë si poligon i manovrave të ulëta politike të Serbisë dhe politikanët profiter që e shfrytëzuan veriun për përfitime të ulëta.

Kusari-Lila tha se si shtet dhe demokraci Kosova i ka të dëshmuara gabimet nga pararendësit, për të cilat tha se kanë mbetur mësime.

 


Haradinaj: Ta shkarkojmë Kurtin, mashtrimi i tij ka elemente të tradhtisë

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka kërkuar mocion për shkarkimin e Qeverisë Kurti.

Ai ka thënë se kryeministri Albin Kurti duhet të shkarkohet pas situatës së fundit të krijuar në veri dhe acarimin e marrëdhënieve Kosovë-SHBA. Shtoi se reflektim, derisa u ka bërë thirrje deputetëve që t’i bashkohen kërkesës së tij.
“Është detyra jonë e njerëzve të Kosovës që të reflektojmë çka po na ndodhë a duhet të lejojmë që të vazhdojë mosbesimi deri në pabesi ndaj aleatëve. Kush përfiton nga kjo pos Putini, armiqtë tanë, Serbia. Për këtë arsye ju propozoj deputetë të respektuar të shkojmë me mocion dhe ta shkarkojmë qeverinë Kurti ta ndërpremë mosbesimim deri në pabesi e mashtrimin deri në tradhti”.

 


Kurti përmend emrat e organizatorëve kryesorë të trazirave në veri

Në Kuvendin e Kosovës që po mbahet seanca e veçantë për situatën në Veri të Kosovës, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti  ka publikuar emrat e disa prej njerëzve që ka thënë se janë organizatorët kryesorë të trazirave në veri.

Kurti të parin e ka përmendur, Milorad Jevtiqin që ka thënë se është një nga drejtuesit e këtij formacioni ilegal e se shtëpia e tij është “bazë qëndrimi për drejtuesit e strukturës ilegale”, të cilën e ka ndërlidhur me Listën serbe

Tutje ka përmendur Miçko Jevtiqin, Rajko Jevtiqin, Danilo Josifoviqin, Liljana Aksentijeviqin e Aleksandër Filipoviqin.

Kurti ka folur edhe për personat e maskuar. Sipas tij të gjithë udhëhiqen nga Filipoviqi. Ai ka thënë se më 29 maj, Filipoviqi e kishte rrahur një serb në Leposaviq.

Kurti ka përmendur si të maskuar edhe Nikola Axhiqin (hedhje koktej molotovi), Milan Zhijkoviqin, Danilo Krivokapiqin, Jovica Lazoviqin, Nikola Radomiroviqin, vëllezërit Stefan e Dejan Nedejlkoviq, Damjan Knezheviq.

Për sulme ndaj KFOR-it, Kurti ka përmendur edhe Vladimir Radivojeviqin, Daniel Gjukiqin, Milosh Gjukiqin, Milan Tomiqin, Milan Joviqin, Peter Milosheviqin, Dejan Jevtiqin, Nikola Baldinin, Milan Zhivkoviqin, Vuk Brankoviqin, Luka Vlaskoviqin, Bozhidar Todoroviqin dhe Radish Adenoviqin si dhe Daniel Shmigiqin.

 


​Kurti: Kompanitë e Radojiqiqit u kushtëzojnë serbëve vendin e punës me protestë të dhunshme

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se shumë qytetarë serb, për shkak të kërcënimit dhe personit nga Beogradi zyrtar, janë detyruar të shërbejnë si mburojë njerëzore për sulmet e grupeve kriminale. Ai ka thënë se një kategori e protestuesve janë punëtorë të kompanive të Radojiqiqit i cili u jep ditë pushimi që të marrin pjesë në protesta të dhunshme.

Lidhur me situatën në veri, shefi i ekzekutivit ka folur në Kuvendin e Kosovës.

“Jam i vetëdijshëm që jo të gjithë ata që po marrin pjesë në grumbullimet para objekteve janë pjesë e grupeve të tilla. Por fatkeqësisht shumë qytetarë serb për shkak të presionit dhe kërcënimit të Beogradit zyrtar janë të detyruar të shërbejnë si mburojë njerëzore për sulmet e grupeve të tilla kriminale. Dhe aty janë tri kategori, kategoria e parë janë këta kriminelët e mbrojtjes civile, këta janë ajo pjesa ekstremiste, shoviniste, nacionaliste, e cila e admiron Millosheviqin dhe Putinin dhe merr pjesë në protesta të dhunshme, kategoria e dytë janë ata nga administrata publike të cilët po nuk dolën në protesta humbin pagën se vendin e punës nuk e di a e kanë, dhe kategoria e tretë janë kompanitë e Radojiqiqave dhe Veselinoviqave të cilët u japin ditë pushimi punëtorëve me kusht që me e shku në protesta të dhunshme. Pra, ua kushtëzojnë vendin e punës me protestë të dhunshme dhe kur shkojnë në protestë të dhunshme ua shkruajnë ditë pushimi”, ka thënë Kurti.

Ai ka shtuar se veprimet e institucioneve kanë qenë në përputhje me obligimet kushtetuese interesat e qytetarëve të Republikës së Kosovës.

“Nuk ka nevojë ta quajmë hyrje me forcë në ndërtesë sepse ajo ndërtesë është e Republikës së Kosovës, nuk hyn Policia me forcë në ndërtesë të vet, nuk hynë kryetari i komunës me forcë në ndërtesë të vet, ajo është zyra e tij:, ka theksuar ai.


Nis debati për veriun, Kurti i pari u drejtohet deputetëve

Në Kuvendin e Kosovës nisi seanca e veçantë, ku do të diskutohet për situatën e krijuar në veri të vendit. Qysh në hyrje të kësaj seanca shefi i Grupit Parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi kërkoi që deputetëve të pranishëm në sallën e Kuvendit dhe qytetarëve fillimisht t’u drejtohet kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Sot është dita e gjashtë prej kur serbët e Kosovës po protestojnë para objekteve komunale të Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut.

Ata po kundërshtojnë kryetarët e komunave të zgjedhur në këto komuna dhe prezencën e policëve të Kosovës pranë objekteve komunale.

Të hënën, protestuesit, disa prej tyre me maska, kanë ushtruar dhunë ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, Policisë së Kosovës dhe gazetarëve. Ata kanë hedhur gjësende të ndryshme në drejtim të paqeruajtësve, derisa kanë dëmtuar vetura të mediave.

Si pasojë e protestave të dhunshme janë plagosur 30 ushtarë të KFOR-it.

 


Në Kuvend sot debatohet për situatën në veri

 

Deputetët e Kuvendit të Kosovës sot do të mblidhen në një seancë të veçantë.

Seanca është thirrur për një pikë të vetme të rendit të ditës, debat për situatën në veri të vendit.

2 qershori shënon ditën e gjashtë prej kur serbët e Kosovës po protestojnë para objekteve komunale të Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut.

Ata po kundërshtojnë kryetarët e rinj të zgjedhur në këto komuna, duke mos lejuar që ata të hyjnë në objektet e komunave.

Bashkësia ndërkombëtare i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të arrijë depërshkallëzimin e menjëhershëm të situatës, duke bërë që kryetarët të punojnë në objekte të tjera dhe që Policia të largohet.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dje ka konfirmuar se Kosova është e gatshme që të organizojë zgjedhje të reja në pjesën veriore të Kosovës./21Media 

Back to top button