Më shumë tokë e punueshme në bujqësi e më pak gjedhe gjatë vitit 2022

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) bën të ditur se gjatë vitit 2022, sipërfaqja e shfrytëzuar e tokës bujqësore ishte 420 mijë e 482 hektarë, përfshirë tokën e përbashkët, ku krahasuar me vitin paraprak 2021 që ishte 420 mijë e 326 hektarë, ka një rritje të sipërfaqes së tokës në shfrytëzim prej 155,86 ha.

Rënie e lehtë vërehet te toka e përbashkët

Në publikimin e rezultateve të Anketës së Ekonomive Bujqësore për vitin 2022 nga ASK-ja, thuhet se nga gjithsej sipërfaqja e shfrytëzuar e tokës bujqësore në vitin 2022, pjesa më e madhe u përket livadheve dhe kullosave përfshirë tokën e përbashkët ishte 216 998,06 ha (51,61%), krahasuar me vitin paraprak 2021 (që ishte 217 106,91 ha) ose 51,65%.

“Vërehet një rënie e lehtë te toka e përbashkët, ndërsa toka e punueshme – arat marrin pjesë me 44,81% dhe kopshtet me 0,26%”, thuhet në raportin e ASK-së.

Rritje e lehtë e sipërfaqes së tokës me kultura shumëvjeçare

Sipas ASK-së sipërfaqja e tokës me kultura shumëvjeçare (pemët, vreshtat, fidanët) në vitin 2022 ishte 13 999,84 ha me pjesëmarrje prej 3,33% të sipërfaqes së përgjithshme, ku krahasuar me vitin 2021 (që ishte 13 755,56 ha, me pjesëmarrje 3,27%), vërehet një rritje e lehtë e kulturave shumëvjeçare në tokën e shfrytëzuar bujqësore.

“Gjatë vitit 2022, gjithsej toka e punueshme – arat, ishte 188 404,61 ha, pjesa më e madhe ishte me: drithëra (124 617,49 ha, ose 66,14%); bimë foragjere (37 614,61 ha, ose 19,96%); perime 10 247,34 ha në fushë të hapur, në serra dhe kopshte (prej të cilave perime në fushë të hapur dhe serra ishin 9 167,40 ha, ose 4,87%); patate (3 884,43 ha, ose 2,06%); bishtajore (3 052,40 ha, ose 1,62%); bimë industriale (886,90 ha, ose 0,47%); kultura të tjera (2 771,28 ha, ose 1,47%) dhe tokë djerrinë ishte 6 410,09 ha ose 3,40%”, thuhet në raport.

Sipërfaqe e ujitur, të paktën një herë gjatë periudhës referuese të anketës në vitin 2022, ishte 34 000,08 ha.

Kurse, gjithsej sipërfaqja e trajtuar me pesticide në vitin 2022 ishte 122 501,30 ha.

Rënie e lehtë e fondit blegtoral

ASK bën të ditur po ashtu se rezultatet e kësaj ankete tregojnë se blegtoria në Kosovë, gjatë vitit 2022, sa i përket numrit të gjedheve ishte 250 mijë e 899, ku krahasuar me vitin paraprak 2021 (që ishte 260 528), ka një rënie të lehtë ose 9 mijë e 629 më pak.

“Ky publikim ofron të dhëna në formë përmbledhëse për kulturat bujqësore bimore (shfrytëzimin e tokës bujqësore, prodhimtarinë bimore, inputet bujqësore (plehrat minerale, organike, pesticidet)); blegtorinë: therjet, shitjet, produktet blegtorale dhe shpenzimet në ekonomitë bujqësore’, thuhet në raport. /kp

Back to top button