Mehaj dhe Jashari morën pjesë në takimin e Grupit të Kontaktit për Mbrojtje të Ukrainës

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, dhe komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, kanë marrë pjesë në takimin e Grupit të Kontaktit për Mbrojtje të Ukrainës.

Në takimin e zhvilluar në Ramshtajn të Gjermanisë, ku morën pjesë 50 shtete, temë diskutimi ishte vazhdimi i mbështetjes për Ukrainën.

Për këtë, ka njoftuar ministri Mehaj i cili ka thënë se kanë diskutuar edhe për strategjinë që duhet ndjekur në raport me kërcënimet dhe rreziqet nga politikat e Rusisë.

“Në këtë takim të udhëhequr nga sekretari i Mbrojtjes së ShBA-së, Lloyd Austin, morëm pjesë së bashku me gjeneral Jasharin si përfaqësues të Republikës së Kosovës, ndërsa temë diskutimi e këtij takimi ishte vazhdimi i mbështetjes për Ukrainën, strategjia që duhet ndjekur në raport me kërcënimet dhe rreziqet nga politikat ekspansioniste të Rusisë, si dhe kontributin e shteteve në fusha të caktuara për mbështetje të Ukrainës dhe forcave të saj të cilat ndodhen në betejë”, ka shkruar Mehaj në Facebook.

Aty, sipas Mehajt, Ministria e Mbrojtjes ka rikonfirmuar gatishmërinë për mbështetje nga Republika e Kosovës në fushën e deminimit, kërkim-shpëtimit dhe menaxhimit të materieve të rrezikshme, si dhe ofrimin e trajnimeve për secilën nga fushat e lartcekura.

“Pas sesionit të Grupit të Kontaktit gjithashtu takuam Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, Ministrin e Mbrojtjes të Ukrainës, Oleksii Reznikov, Ministrin e Mbrojtjes së Gjermanisë, Boris Pistorius, Ndihmës Sekretaren e Mbrojtjes së ShBA-ve, Laura Kuper”, ka bërë të ditur Mehaj.

Back to top button