​Mehaj: Heronjtë tanë shpëtuan jetë dhe treguan nivel të lartë profesionalizmi

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj sonte së bashku me Kryeministrin Albin Kurti, Gjenerallejtënant Bashkim Jasharin dhe Ambasadorin e Republikës së Turqisë, Tunç Angili, kanë pritur 39 pjesëtarë të kontigjentit të Forcës së Sigurisë së Kosovës nga 42 në total, të cilët për disa ditë me radhë shërbyen në operacionin e kërkim-shpëtim në Turqi pas tërmeteve të 6 shkurtit.
Mehaj ka thënë se rastet e tilla të fatkeqësive janë momentet të cilat përcaktojnë miqtë dhe karakterin e vërtetë të secilit. Tutje ai ka thënë se gatishmëria e menjëhershme e pjesëtarëve të FSK-së për të ofruar ndihmë në operacionin e kërkim-shpëtimit miqve tanë turq, tregon për një fisnikëri e ndjenjë mirësie që tejkalon njerëzoren.
“Këta janë krenaria jonë, heronjtë tanë që përveçse shpëtuan jetë njerëzore treguan edhe nivel të lartë profesionalizmi. Çfarëdo fjale miradie nuk shpreh mjaftueshëm mirënjohjen ndaj ushtarëve tanë, megjithatë i falenderoj edhe një herë. Puna e tyre flet shumë më shumë për ta se secili prej nesh. Ndërsa ky rast tregon se dallimi ndërmjet kombeve është i papërfillshëm kur bëhet fjalë për jetët njerëzore, këtu lidhja mes shteteve bëhet më e fortë e shumë reale. Këtë ndjenjë mirënjohje e pamë edhe sonte kur në mesin e familjarëve kishte edhe shumë qytetarë të komunitetit turk, të cilët nuk kishin familjar në mesin e ushtarëve tanë, por që shpirtërisht me këtë akt humaniteti të treguar nga ana e FSK-së, i ndjenin të afërt, e po i prisnin ashtu si nëna pret djalin, apo motra, vëllaun. Ju jeni 42 heronjtë tanë, dhe krenaria jonë më e madhe!”, ka shkruar Mehaj në Facebook.

Back to top button