Mehaj shpreh mirënjohje për kontributin në Fondin e Sigurisë

Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Armend Mehaj ka shprehur mirënjohje dhe vlerësim të lartë për kontributin e deritashëm me donacionet e dhuruara në Fondin e Sigurisë së vendit.
“Asgjë nuk na ka befasuar sepse ju ishit dhe jeni lokomotiva kryesore e ndërtimit, zhvillimit dhe forcimit të vendit e institucioneve tona. Fondi i Sigurisë ishte insistimi dhe vullneti juaj, sepse dashurinë për shtetin dhe institucionet e saj, ju e keni dëshmuar në secilën periudhë të kauzës së rezistencës, luftës dhe shtet-ndërtimit”, ka shkruar Mehaj në Facebook.
Sipas tij, periudha në të cilën po kalojmë konfirmon nevojën për të ngritur dhe zhvilluar Ushtrinë e fortë dhe të gjitha institucionet tjera të sigurisë dhe mbrojtjes së vendit.Për tu realizuar ky synim, buxheti aktual është i pamjaftueshëm, prandaj sipas tij, donacionet në ‘’Fondi i Sigurisë’’ janë shumë të çmueshme dhe të pazëvendësueshme.
“Vetëm së bashku mund të arrijmë qëllimin jetik – Ushtrinë tonë të fuqishme, moderne dhe të pajisur sipas standardeve të NATO-së. Edhe njëherë në emër të gjithë zyrtarëve dhe ushtarakëve të Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së, ju falënderojmë nga zemra! Ju rikujtojmë se, Fondi i Sigurisë menaxhohet nga Ministria e Financave me transparencë dhe llogaridhënie të plotë”, ka shkruar Mehaj në Facebook./21Media

Back to top button