Meliza Haradinaj-Stublla jep dorëheqje nga MPJ dhe AAK

 

Ministria në detyrë e Jashtme e Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla ka dhënë dorëheqje nga pozita në Ministri të Punëve të Jashtme si dhe nga të gjitha funksionet e saj në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës.

Përmes një shkrimi në “Facebook”, Haradinaj-Stublla ka thënë se ndodhet në mes të një skeme piramidale të njollosjes, linqimit, presionit, manipulimit dhe shantazhit ndaj saj dhe familjes së saj dhe për këtë arsye ka konsideruar obligim moral dorëheqjen.

“Këtë vendim e marr vetëm për shkak të pamundësisë morale që më është shkaktuar dhe imazhit që më është dëmtuar nga persona me qëllime të pista, e jo sepse ndjej përgjegjësi për manipulimet dhe akuzat që më janë mveshur pamëshirshëm mua dhe familjes time. Cenimi i nderit dhe punës sime nga lojërat denigruese të të tjerëve, paraqet shkak-pasojën e këtij vendimi”, ka shkruar ajo.

Ajo ka shtuar se nuk është sekret që Aleanca nuk ka qenë favorit për t’i fituar zgjedhjet dhe ky fakt sipas saj ka alarmuar disa që mbijetesën politike e kanë luftë për ekzistencë!

“Ata janë angazhuar që me çdo kusht të fitojnë betejën zgjedhore, pa zgjedhur mjet e as rrugë. Me çdo kusht kanë aderuar njerëz të padëshmuar e të panjohur për strukturat e partisë, për të ndërtuar projeksionet dhe aleancat e tyre për mirëmbajtjen e kontrollit dhe shantazhit përbrenda”, ka shkruat tutje Haradinaj-Stublla.

Meliza Haradinaj-Stublla ka thënë se distancimi i saj nga një parti të cilës i ka besuar fort dhe kontribuar mbi 15 vjet, nuk e ka menduar asnjëherë që do të vijë. Por, pasi erdhi Haradinaj-Stullblla ka thënë se është në paqe që po largohet nga prezenca siç e ka quajtur “toksike e disa njerëzve që AAK-në e bëjnë parti të pareformueshme, dhe kryetarin Haradinaj të izoluar”.

Ajo edhe një herë ka kërkuar nga Prokuroria e Shtetit të ndriçojë vërtetësinë e video ku pretendohet se burri i saj bleu vota.

“Siç kam kërkuar edhe më herët, RIPËRSËRIS që në interval sa më të shkurtër kohor, Prokuroria e Shtetit të ndriçojë para së gjithash vërtetësinë e video-inskenimit të plasuar në mënyrë të dyshimtë në pseudo-portale dhe faktimin e vërtetësisë së të gjitha pretendimeve që implikojnë familjen time dhe mua. Kjo ka rëndësi jetike meqë akoma është i panjohur autenticiteti i kësaj videoje, koha kur kjo bisedë është zhvilluar, identiteti i personave pjesëmarrës në të dhe gama e dëmtimit që kanë shkaktuar. Madje, tashmë jemi në kërkim të ekspertëve ndërkombëtar për dhënien e opinionit të tyre profesional rreth autenticitetit të saj”, ka shkruar ajo.

Sipas Haradinaj-Stubllës rinumërimi i disa kutive është një hap përpara, por jo determinues për zbulimin e të vërtetës së plotë, pasiqë gjeneza e problemit sipas saj qëndron pikërisht tek pretendimet e parashtruara në këtë video-inskenim.

Ajo ka shtuar se faktet do t’i paraqes në organet kompetente.

“Ditëve të fundit, është hedhur tepër baltë e mjegulluar në shpërfytyrim faktet. Megjithatë, koha dhe kërkesa insistuese e imja për drejtësi, do të distilojnë të vërtetën. Paditë për shpifje, fyerje, e shantazh do të mbeten aktive, dhe nuk do të ndalem derisa sekreti publik i lidhjes së krimit me pseudo-portalet do të vërtetohet. Politikëbërja në Kosovë nuk duhet të shndërrohet në një zanat që të merr jetën ose nderin. Ndërsa jap dorëheqjen nga funksioni publik, siguroj ata që gatuan këtë skemë se do të marrin monedhën përkatëse për të gjitha skemat që me vite i kanë gatuar pa dhënë përgjegjësi. Kjo që më është mveshur mua sot, ju pasqyron JUVE e assesi mua, e këtë që po them sot, e shumë të tjera – drejtësia do t’i vulosë herdokur”, ka shkruar Haradinaj në “Facebook” duke thënë “Mirupafshim në beteja të tjera!”./21Media

Back to top button