MEPJ: Asgjë nuk e justifikon dhunën në veri, autorët të nxirren para drejtësisë

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Republikës së Shqipërisë ka shprehur shqetësimin për përshkallëzimin e situatës në veri të Kosovës dhe ka dënuar fuqimisht aktet vandale të kryera dje, ku disa individë i kanë vënë zjarrin zyrave të regjistrimit të mjeteve në Zubin Potok dhe kanë dëmtuar një zyrë të ngjashme në Zveçan.
Në reagimin zyrtar, MEPJ ka theksuar se asgjë nuk e justifikon përdorimin e dhunës, dëmtimin e pronës publike dhe mungesën e respektit ndaj ligjit.
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka bërë thirrje që këta persona të vendosen para drejtësisë.
”Shqipëria është veçanërisht e shqetësuar për dërgimin e forcave të armatosura serbe pranë kufirit me Kosovën dhe mjetet fluturuese ushtarake të cilët fluturojnë afër dhe sipër hapësirës ajrore të Kosovës, të cilat nxisin individët të provokojnë trazira dhe dhunë, si dhe synojnë destabilizimin e Kosovës. Këto akte bien ndesh me marrëveshjet ndëkombëtare, të cilat kanë për synim të sigurojnë rendin dhe stabilitetin në atë pjesë të rajonit. Ne i bëjmë thirrje Serbisë të tërheqë forcat e armatosura të dërguara pranë kufirit me Kosovën dhe të punojë për ç’tensionim të menjëhershëm të situatës. Ne i nxisim të gjithë aktorët të tregohen të përmbajtur dhe të drejtohen menjëherë drejt dialogut, si e vetmja mënyrë për të ecur përpara dhe për të zgjidhur çështjet e mbetura pezull me frymën e bashkëpunimit, ndaj të cilave Shqipëria është angazhuar në mënyrë të pakthyeshme, në përpjekjet e saj dypalëshe dhe shumëpalëshe”, është bërë e ditur në reagimin e ministrisë.
MEPJ ka theksuar tutje se si një aleat i NATO-s dhe një anëtar i përgjegjshëm i Kombeve të Bashkuara, Shqipëria do të bëjë gjithçka që është e nevojshme për të mbështetur të gjitha përpjekjet drejt ç’tensionimit të menjëhershëm të situatës dhe kthimit drejt dialogut.

Back to top button