Merkel në Tiranë, nën masa të forta sigurie niset drejt Pallatit të Brigadave

Në orën 10:00 kancelarja gjermane Angela Merkel zbriti në aeroportin e Rinasit. Më pas në masa të rrepta sigurie dhe një eskortë dedikuar vizitës së kancelares gjermane është nisur drejt Pallatit të Brigadave.
Në orën 10:20 do të zhvillohet ceremonia e pritjes në Pallatin e Brigadave.
Aeroporti “Nënë Tereza” mëngjesin e sotëm është blinduar nga forca të shumta policie.
Kancelarja do të zhvillojë një vizitë në kuadër të Procesit të Berlinit. Të pranishëm në Rinas janë edhe drejtori i policisë së Tiranës Rebani Jaupi dhe drejtori i përgjithshëm Ardi Veliu.
Policia ka bërë me dije një ditë më parë se do të jenë të bllokuara disa segmente rrugore, për motive sigurie nga ora 09:00-13:00.
Do të ketë bllokime dhe devijime të lëvizjes së automjeteve, konkretisht në Rinas-Unaza e Re, Sauk, Rruga e Elbasanit deri tek Pallati i Brigadave.
Merkel do të mbledhë krerët e qeverive të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, ku në plan të parë do të jenë çështjet e bashkëpunimit rajonal.
Gjithashtu janë planifikuar bisedime kokë më kokë me krerët e qeverive të Kosovës, Bosnje dhe Hercegovinës, Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut. Vizita e Merkel vjen në kuadër të procesit të Berlinit./oranews

Back to top button