Merr fund gjykimi i tretë për vrasjen e Donjeta Pajazitajt

 

Naser Pajazita, i cili akuzohet se e ka vrarë Donjeta Pajazitajn, ka dalë para Gjykatës së Ferizajt në kohën kur procesit po i vie fundi Pajazitaj akuzohet se në mënyrë dinake e kishte vrarë Donjeta Pajazitajn.

Në seancën e djeshme, e cila ishte e fundit në këtë proces të tej zgjatur, u dha edhe fjala përfundimtare e palëve ku prokurorja Valbona Dishaj-Haxhosaj kërkoi nga Gjykata dënimin maksimal të të akuzuarit.

”Prokuroria konsideron se është vërtetuar se i akuzuari i ka kryer këto vepra penale siç e ngarkon akuza. Sa i përket dëshmisë së Haki Pajazitajt i propozoj Gjykatës të mos e merr për bazë pasi që i njëjti ka qenë i frikësuar dhe nuk ka deklaruar drejtë, i njëjti në Prokurorinë e Pejës ka deklaruar se nuk ka treguar të verteten pasi është frikësuar. Propozoj të merret parasysh deklarata e Albërim Mujajt dhe Gjykata t’ia fal besimin dëshmisë së këtij deshmitari”, tha prokurorja Haxhosaj.

Tutje ajo tha se i akuzuari e ka kryer veprën penale ”vrasje e rëndë për motive të ulëta”.

”I akuzuari ka qenë i akuzuar dhe me parë për vrasje. Vrasjen e Donjetës e ka kryer në mënyrë dinake. Në tërësi mbetem pranë aktakuzës për të gjitha pikat”, tha ajo.

Nëna e të ndjerës Donjeta Pajazitaj dhe vëllai i saj si të dëmtuar në këtë rast në fjalën përfundimtare thanë se e përkrahin fjalën e prokurores, kërkojnë kompensim të dëmit dhe propozojnë që i akuzuari të dënohet maksimalisht.

Kurse, mbrojtësi kryesor i të akuzuarit, avokati Gëzim Kollçaku në fjalën e tij përfundimtare tha se Prokuroria në shqyrtimin e sotëm gjyqësor bëri plotësimin e diapozitivit të aktakuzës sa i përket kohës së kryerjes së veprës penale si dhe motivin e veprës penale

”Me aktakuzën e Prokurorisë , thuhet se i akuzuari e ka marrë tani të ndjerën me veture, me asnjë prove nuk është vërtetuar kjo rrethanë. Kur kemi të bëjmë me video incizimin e kamerave e që janë më shumë se 20 fotografi në të cilat në asnjërën foto nuk shihet se ka kaluar vetura por kamera është aktivizuar vetëm nga zhurma e veturave”, tha ai.

Sipas avokatit, nga ekzaminimi i automjetit nuk është vërtetuar se është gjetur ndonjë shenjë se në veturë kanë qenë personat aty dhe nuk është identifikuar asnjë person.

”Trupit gjykues i propozoj ta lirojë të mbrojturin tim nga përgjegjësia penale për shkak se me asnjë provë direkte dhe as indirekte nuk është vërtetuar se e ka kryer këtë vrasje”, tha avokati Kollqaku, të cilin e mbështeti i akuzuari Naser Pajaziti.

Shpallja e vendimit gjyqësor për këtë rast do të bëhet më 27 maj nga ora 13:00. Sipas Prokurorisë, përderisa Donjeta Pajazitaj ishte duke shkuar në punë, i akuzuari Naser Pajazitaj ishte ndalur me veturë dhe e kishte marrë Donjetën duke e dërguar te vendi ”Kroi i Lajthisë”, ku më pas me dy plumba në kokë e kishte vrarë.

Por për këto akuza, Gjykata Themelore në Pejë në mungesë të provave e kishte liruar Naser Pajazitajn nga akuzat, mirëpo me ketë vendim nuk ishte pajtuar Gjykata e Apelit, e cila kishte vendosur që çështjen ta kthejë edhe një herë në gjykim, raporton kallxo.com

Pas rigjykimit Pajazitaj ishte dënuar me burgim të përjetshëm, vendim ky i cili në muajin korrik të vitit 2019 edhe ishte vërtetuar nga Gjykata e Apelit.

Më pas, Gjykata Supreme i kishte prishur të dy vendimet e Gjykatës së Pejës (edhe atë të lirimit edhe atë të dënimit me burgim të përjetshëm).

Gjykata e Pejës kishte kërkuar që të përjashtohet nga ky rast pasi kishte marrë dy vendime skajshmërisht të ndryshme, me njëri tjetrin, me njërin duke e liruar, kurse me vendimin tjetër e kishte dënuar me burgim të përjetshëm.

Në këtë situatë, gjykimi nisi nga fillimi në Gjykatën e Ferizajt./kallxo

Back to top button