Duke nisur nga dita e sotme, qytetarët që duan të udhëtojnë në drejtim të Greqisë, duke filluar nga ora 06:00 deri në orën 22:00 të çdo dite në vijim, për të hyrë në Republikën e Greqisë nëpërmjet Pikës së Kalimit Kufitar Kakavijë do të lejohet të kalojnë vetëm 750 shtetas në ditë, ndërsa nga Kapshticë vetëm 300 persona në ditë.

Për të hyrë në Republikën e Greqisë prej mëngjesit të datës 17 gusht qytetarët duhet të kenë me vete:

-Certifikatën e kryerjes së testit COVID-19, jo më vonë së 72 orë nga dita e udhëtimit dhe rezultati të jetë Negativ;

-Testimi të jetë bërë nga autoriteti shtetëror (Instituti i Shëndetësisë) ose nga çdo spital apo klinikë e certifikuar dhe e njohur nga shteti;

-Certifikata të përmbajë të dhënat personale të personit, numrin e pasaportës ose të kartës greke, rezultatin negativ të testit, emrin e Institucionit ku është kryer testimi, adresën, numrin e telefonit, si dhe të jetë e përkthyer në gjuhën angleze;

-Do të lejohen të hyjnë në Republikën e Greqisë shtetasit që kanë leje qëndrimi greke ose shtetësi greke, punëtorët sezonal, si dhe çdo shtetas që ka marrë konfirmim nga autoriteti përkatës;

-Çdo shtetas që do të hyjë gjithashtu duhet të këtë plotësuar formularin PLF.

Policia Kufitare apelon qytetarët që duan të udhëtojnë në drejtim të Greqisë që mos të ndërmarrin udhëtime pa pasur me vete dokumentacionin e mësipërm, pasi Policia ka ngritur pika kontrolli në drejtim të Kakavijës si dhe në drejtim të Kapshticës.

Nuk do të lejohet asnjë qytetar që ka qëllim destinacionin final Greqinë të udhëtojë në drejtim të këtyre pikave pa pasur dokumentacionin e nevojshëm.

Radhët e emigrantëve në Kakavijë, që u krijuan ditët e fundit morën fund, pasi në orën 00.40, të ditës së sotme ka kaluar qytetari i fundit.

Ministria e Mbrojtjes njoftoi se gjatë 24 orëve të fundit, kanë kaluar në pikën kufitare të Kakavijës 3325 persona dhe 1629 mjete./vizionplus