Merret vendim për babain që dhunoi vajzat e tij

Dy vajza të mitura, njëra 14 e tjetra 15 vjeçe dyshohet se janë dhunuar vazhdimisht nga babai i tyre në Gjakovë. Rasti në Polici është raportuar të hënën nga nëna e vajzave e cila kishte deklaruar se bashkëshorit i saj kishte dhunuar njërën vajzë dhe kishte sulmuar seksualisht tjetrën në mënyrë të vazhdueshme.
Kurse sot, Gjykata Themelore në Gjakovë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjakovës, duke i caktuar masën e paraburgimit prej një muaj të pandehurit F. K., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale të dhunimit në vazhdimësi dhe të sulmit seksual.
Sipas kërkesës, “në muajin korrik 2021, në dy raste të ndara, i pandehuri F. K., e detyron të kryejë akt seksual pa pëlqimin e saj, vajzën e tij, të dëmtuarën e mitur, XX. Gjithashtu, në muajin shtator 2020, me qëllim seksual dhe pa pëlqimin e saj, tenton me forcë ta prek të dëmtuarën e mitur, vajzën e tij, XX.”, thuhet në komunikatën për medie të gjykatës.
Me këto veprime i pandehuri dyshohet se ka kryer dy vepra penale, “Dhunimi” në vazhdimësi dhe veprën penale “Sulmi seksual”, vepra të sanksionuara me Kodin Penal të Republikës së Kosovës.
I pandehuri do të mbahet në paraburgim në kohëzgjatje prej një muaji, i cili do të llogaritet prej kohës së arrestimit më 07 shkurt 2022 dhe do të zgjasë deri më 06 mars 2022./21Media

Back to top button