Mesazhi i Ademit për Vitin e Ri: Realizuam projekte të shumta

Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi ka uruar Vitin e Ri, teksa ka numëruar disa arritje të futbollit kosovar gjatë vitit 2022.
“Të nderuar drejtues të institucioneve, komunitet i futbollit, tifozë, partnerë e sponsorë, përfaqësues të mediave, qytetarë të Republikës së Kosovës dhe bashkatdhetarë kudo që jetoni;
Po e përmbyllim së bashku një tjetër vit me suksese e sfida, por mbi të gjitha me përkushtimin dhe vizionin tonë për zhvillim të futbollit të Kosovës. Edhe gjatë 2022-s kishim plane e objektiva. Shumë prej tyre i realizuam, në disa shkuam përtej mundësive, e në disa tjera ngecëm. Por, puna dhe dëshira për sukses ishte maksimale tek secili prej nesh që jemi pjesë e FFK-së”, ka shkruar ndër tjera Ademi.
Në fushën e gjelbër objektivat shpeshherë mbesin të paarritshme për arsye nga më të ndryshmet, e që një pjesë të madhe e përbën edhe fati. Me Kombëtaren synuam të promovoheshim në Ligën B të Ligës së Kombeve, por nuk arritëm të fitojmë në përballjet direkte me konkurrentin kryesor – Greqinë, edhe për mungesë fati.
Sipas Ademit, me ekipet tjera zinxhirë të kombëtares diku ishim më mirë e diku çaluam dhe ishim larg objektivave. Kishim shpresa të mëdha për sukses në futsall, duke e ditur traditën që kemi në këtë lojë, por edhe aty hasëm në rivalë me potencial të jashtëzakonshëm.
Gjithsesi, në nivel klubesh, ky ishte viti më i suksesshëm, ngase në Evropë u paraqitëm me katër klube, e ku skuadra kampione FC Ballkani pati arritje historike, duke u paraqitur në fazën e grupeve në Ligën e Konferencës, derisa edhe niveli i ligës përparoi dukshëm. Si rrjedhojë, kampionati ynë tani në renditjen e UEFA-s qëndron dukshëm më mirë se sa shumica e kampionateve të rajonit.
“Edhe këtë vit realizuam projekte të shumta, si dhe ndërtuam fusha futbolli në treva të ndryshme, duke mundësuar kushte sa më të volitshme për klubet dhe të rinjtë tanë. U kujdesëm që klubeve të të gjitha rangjeve, në të dyja konkurrencat, t’ua heqim barrën e shpenzimeve për lëndimet e futbollistëve, duke i pajisur këta të fundit me policat e sigurimit shëndetësor. Një projekt ky me kosto të lartë për FFK-në, por më se i nevojshëm e i domosdoshëm për futbollistët dhe për rrethanat në të cilat ndodhen klubet tona”, ka shkruar Ademi.
Masovizimi i futbollit të vajzave, përfshirja e futbollit në shkolla, zhvillimi i futbollit të rrugës, inkuadrimi i fëmijëve të grupmoshave të ndryshme dhe kategorive me nevoja të veçanta në futboll edhe këtë vit ishin pjesë e programeve Grassroots, teksa krijuam edhe ekipin kombëtar të të verbërve.
Vazhduam me edukimin e kuadrove të reja të trajnerëve dhe gjyqtarëve. E kur jemi te gjyqtarët, ata me plot sukses ndanë drejtësinë edhe në ndeshje të rëndësishme ndërkombëtare, derisa për herë të parë kemi edhe një treshe të gjyqtareve me stemë të FIFA-s.
Ademi gjithashtu theksoi se futbolli i Kosovës dhe FFK vazhdojnë të mbështeten fuqishëm nga UEFA e FIFA.
Back to top button