Meta i nderon vëllezërit Bytyqi me dekoratën “Nderi i Kombit”

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, ndau dekoratën e lartë, post-mortem, “Nderi i Kombit” për Agron, Mehmet dhe Ylli Bytyqi, të vrarë pas luftës nga forcat serbe.
Kjo dekoratë i është dorëzuar të dielën në New York, familjes Bytyqi, pikërisht në ditën kur u shënua 23 vjetori i çlirimit të Kosovës.
“Në qoftëse çmimi i lirisë ishin jetët tona, ne nuk mundëm të jepnim më shumë”. Dje në Ditën e Çlirimit të Kosovës, në Neë York, vendosa një buqetë me lule të freskëta dhe u përula me nderim, respekt e mirënjohje të thellë para kujtimit dhe veprës të Dëshmorëve të Batalionit “Atlantiku” të rënë për lirinë e Kosovës, vëllezërve Agron, Mehmet dhe Ylli Bytyçi, historisë së lavdishme të UÇK-së dhe krenarinë e komunitetit shqiptaro-amerikan”, ka shkruar Meta në Facebook.
“I dorëzova nënës heroinë Bahrije dhe babait fisnik Ahmet, Dekoratën e lartë “Nderi i Kombit”, që u akordova djemve të tyre të paharruar. Me shembullin e jashtëzakonshëm të sakrifikimit më sublim në emër të atdhedashurisë dhe idealeve më të larta njerëzore, vëllezërit Bytyçi do t’i frymëzojnë dhe edukojnë përherë gjeneratat e reja të shqiptarëve në mbrojtje të lirisë, pavarësisë dhe sovranitetit që nuk janë të dhëna një herë e përgjithmonë”, u shpreh Meta.
Vëllezërit Bytyqi, ishin pjesë e batalionit “Atlantiku”. Ata pas luftës, pasi kaluan kufirin Kosovë – Serbi, u arrestuan nga forcat serbe dhe pas një kohe u gjetën të vrarë.
“Zbardhja e gjenocidit dhe të gjitha krimeve të kryera në Kosovë nga regjimi i Millosheviçit do të japë një kontribut të çmuar për më shumë paqe, siguri dhe demokraci në rajonin tonë!”, shtoi Meta./21Media

Back to top button