PDK: Prokuroria të nisë hetimet për 335 mijë eurot që i mori motra e ministres Osmani

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka adresuar akuza ndaj Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit për abuzimin e 335 mijë eurove nga zëvendësministrja, Daulina Osmani.
Kryetari i Rinisë së PDK-së, Donjet Bislimi, në një konferencë për medie të hënën, tha se MKRS në projektin e titulluar “Drejt Malit” ka abuzuar në skemë mashtrimi, ku ka përfituar Mimoza Osmani, motra e zëvendësministres.
“Në projektin e titulluar “Drejt Malit”, nga i cili 335 mijë euro i ka përfituar, Mimoza Osmani, e cila është motra e zëvendësministres Daulina Osmani, që është njeriu më i besuar i kryeministrit Albin Kurti në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Ky projekt i dyshimtë ka përfunduar përmes një skeme mashtrimi dhe kamulfimi që përbënë një konflikt të pastër interesi me përgjegjësi dhe implikime ligjore”, theksoi ai.
Teksa i paraqiti pretendimet e tij, Bislimi kërkoi nga Prokuroria të fillojë hetimet për këtë
“Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e ka iniciuar muaj më parë një memorandum bashkëpunimi ku i ka përfshirë edhe Ministrinë e Arsimit, Ministrinë e Shëndetësisë si dhe OJQ-në “Federata e Sportit Shkollor”. Nëpërmjet këtij memorandumi, Ministria e Kulturës ia ka dhënë 335 mijë euro OJQ “Federata e Sportit Shkollor”, e cila kishte obligim ta organizojë projektin “Drejt Malit” që kishte për qëllim dërgimin e nxënësve për skijim në Brezovicë. Kjo OJQ e kishte marrë përsipër t’i blejë pajisjet dimërore për nxënësit si dhe t’i akomodojë ata në një hotel në Brezovicë. Ajo çfarë ndodhi është se kjo OJQ, me paratë e Ministrisë së Kulturës e kontraktoi Kompaninë “Omnisport” me pronar burrin e motrës së zëvendësministres Daulina Osmani. Pra, motra e zëvendësministres përveç që e ka bashkëshort pronarin e kësaj kompanie, ajo edhe vet punon aty”, shtoi ai.
Bazuar në titullin e ofertës, Bislimi tha se me këto 335 mijë euro u blenë disa pajisje dimërore dhe të tjerat u shpenzuan për akomodim në hotelin “Molika” në Brezovicë, i cili sipas tij nuk figuron i regjistruar në Kosovë, por është i regjistruar në Serbi./kp

Back to top button