Meta në takim me Konjufcën: Të mos krijojmë debate të panevojshme

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, priti sot në takim presidentin e Shqipërisë, Ilir Meta, i cili së bashku me bashkëpunëtorët po qëndron për një vizitë zyrtare në vendin tonë me rastin e përmbylljes së mandatit të tij.
Kreu i Kuvendit dhe Meta shkëmbyen mendime për zhvillimet në rajon dhe më gjerë, ecurinë e proceseve integruese dhe domosdoshmërinë e bashkërendimit të veprimeve përballë proceseve që kanë përpara vendet tona.
Konjufca i shprehu mirënjohje Metës për bashkëpunimin dhe mbështetjen që i ka dhënë Kosovës, duke i dëshiruar suksese në angazhimet e ardhshme.
Nga ana e tij, Meta e falënderoi Konjufcën për pritjen dhe vuri në pah, siç tha, sukseset e arritura së bashku dhe nevojën e një bashkëpunimi sa më të ngushtë mes Shqipërisë dhe Kosovës.
“Gjithçka e lidhë Shqipërinë me Kosovën. Tërësia identitare, historia, gjuha, besimi, kultura, tradita, zakonet, interesat dhe perspektiva euroatlantike. Është e rëndësishme të bashkëpunojmë sa më shumë, t’i fuqizojmë sa më parë marrëveshjet e ndërsjella dhe të mos krijojmë debate të panevojshme”, tha Meta.
Kujtojmë se Meta sot iu adresua deputetëve të Kuvendit të Kosovës në një seancë të veçantë, e cila u organizua me rastin e vizitës së tij./21Media

Back to top button