MFPT dhe Telekomi nënshkruajnë marrëveshje për kredi investive
Në kuadër të kredisë së aprovuar ditë më parë nga Qeveria e Republikës së Kosovës, Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve Hekuran Murati dhe Kryeshefja e Telekomit Burbuqe Hana sot kanë nënshkruar marrëveshjen për transhin e parë të kredisë investive në vlerë prej 5 milionë euro, që parasheh mbulimin e fazës së parë të investimeve të planifikuara në infrastrukturën telekomunikuese.
Në komunikatën e Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve (MFPT) thuhet se kjo marrëveshje mundëson që Telekomit t’i rikthehen investimet substanciale në sistem dhe rrjet, dhe varësisht nga zbatimi i marrëveshjes, Qeveria e Republikës së Kosovës mund t’i vë në dispozicion Telekomit edhe 15 milionë euro të tjera në vitin 2023, për të vazhduar me planin investiv që parashihet të jetë 20 milionë euro në tërësi.
“Kjo është kredia e dytë që i ofrohet Telekomit të Kosovës, pas kredisë së dhënë në pjesë e parë të vitit 2022 për zbatimin e ristrukturimit dhe uljen e shpenzimeve operative. Implementimi i suksesshëm i ristrukturimit ka mundësuar edhe ofrimin e kredisë investive të nënshkruar sot, gjë që do të rezultojë me fillimin e investimeve në teknologji e në rritje të cilësisë së shërbimeve, duke rikthyer ndërmarrjen gradualisht drejt qëndrueshmërisë dhe profitabilitetit”, thuhet në komunikatë.
MFPT ka theksuar se Qeveria e Republikës së Kosovës mbetet e përkushtuar në zbatimin e plotë të planit për rikthimin ndërmarrjeve publike drejt profitabilitetit përmes mirëmenaxhimit dhe mundësimit të investimeve kapitale të nevojshme./21Media