“Kosova në fund të pusit”, Miftaraj: Fokus vetëm te zgjedhjet

(Lajm i përditësuar)
Miftaraj: Fokus vetëm te zgjedhjet, Kosova ”në fund të pusit”
Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD)në ”Click” të RTV21 ka kritikuar diskursin aktual politik, duke theksuar se vëmendja është zhvendosur tërësisht te zgjedhjet, ndërsa po anashkalohen çështje thelbësore për zhvillimin dhe integrimin e vendit.
Ai ngriti shqetësimin për mungesën e debatit rreth planit të rritjes dhe detyrimeve që Kosova duhet të përmbushë në raport me Bashkimin Evropian.
“Ne sot po flasim se a kemi zgjedhje, por nuk po flasim për skandalet, për problemet që kjo qeveri po i bën çdo ditë. Nuk po flitet fare për planin e rritjes. Ne deri në fund të muajit qershor Kosova duhet me i miratu një sërë politikash, kanë 3 muaj Bashkimi Evropian dhe Komisioni Evropian me i validu, në mënyrë që me marrë pastaj pjesën tjetër të paketës së ndihmës financiare. Kjo pothuajse nuk është fare temë. Askund nuk po flitet se ku jemi në integrimin evropian, në këto raste Kosova në fund të pusit”, tha Miftaraj.
Sipas tij, mungesa e fokusit në këto procese rrezikon të lërë Kosovën prapa në rrugën drejt integrimit evropian dhe përfitimit nga mbështetja financiare ndërkombëtare.
Miftaraj: Nënshkrimet për Konjufcën dhe Kollçakun “janë djegur”, s’mund të rikthehen në proces
Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) në ”click” të RTV21 ka deklaruar se procesi për zgjedhjen e presidentit nuk mund të trajtohet si çështje pazari politik, duke theksuar se nënshkrimet e mëparshme për kandidatët e Lëvizjes Vetëvendosje nuk mund të rikthehen në përdorim.
Ai iu referua konkretisht kandidaturave të mëhershme për president, duke theksuar se ato tashmë i përkasin një procesi të mbyllur dhe nuk mund të riaktivizohen.
“Nuk është çështje e pazarit, nënshkrimet për Glauk Konjufcën dhe Fatmire Kollçakun nuk munden me u kthy, janë djeg, kanë vdekur”, tha Miftaraj.
Miftaraj: Procesi i presidentit s’mund të kthehet në “pazar”, Kurti bënte shaka
Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) në ”Click” t RTV21 ka kritikuar ashpër mënyrën se si po zhvillohet procesi për zgjedhjen e presidentit, duke e cilësuar qasjen e treguar si joserioze dhe të papranueshme për një çështje kaq të rëndësishme shtetërore.
Ai theksoi se ky proces nuk duhet të trajtohet si çështje pazari politik, ndërsa përmendi edhe deklaratat e kryeministrit si shembull të mungesës së seriozitetit institucional.
“Nuk mundemi me kthy procesin e presidentit si çështje pazari. Kurti bënte shaka ‘mi sjellni 15 nënshkrime’. Jo qasje serioze”, tha Miftaraj.
Miftaraj: Partia fituese veproi në kundërshtim me rendin kushtetues dhe juridik të vendit
Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), në emisionin “Click” në RTV21, ka deklaruar se seanca për zgjedhjen e presidentit është në kundershtim me rendin kushteues dhe se situata politike po e çon vendin drejt zgjedhjeve të reja.
Ai theksoi se partitë politike duhej të tregonin më shumë maturi dhe vizion në proceset vendimtare, duke ruajtur Kushtetutën dhe institucionet e vendit.
“Fatkeqësisht vendi po shkon drejt zgjedhjeve, ka pak kohë që partitë të gjejnë një konsensus për një kandidat. Me të vërtetë dje ishte diçka që nuk do duhej të ndodhte. Kosova ka një përvojë të theksuar të parlamentarizmit. Partitë politike do duhej të kishin më shumë maturi dhe vizion se si të ruhet Kushtetuta dhe institucionet. Dje gjithçka që ka vepruar partia fituese ka qenë në kundërshtim me rendin kushtetues dhe rendin juridik të vendit tonë, është e pakuptimtë se si VV për proceset vendimtare duhet gjithmonë t’i kryejë me nguti”, tha Miftaraj.
Sipas tij, veprimet e fundit politike dhe mungesa e konsensusit mes partive po krijojnë paqartësi institucionale dhe rrezikojnë stabilitetin e procesit kushtetues në vend./RTV21/21Media