Mimoza Kusari-Lila rizgjedhet kryetare e Alternativës

Është mbajtur sot Kuvendi i dytë zgjedhor qëndror i subjektit politik Alternativa.
Mimoza Kusari- Lila me vota unanime u rizgjedh si kryetare Alternativës. Ajo ishte kandidatja e vetme për kryetare të subjektit.
Lajmi është bërë i ditur në Facebook nga faqja zyrtare e partisë “Alternativa”.
Në fjalën e saj pas rizgjedhjes, Mimoza Kusari Lila, ka falenderuar delegatët për besimin e dhënë dhe njëherit ka veçuar rrugëtimin e Alternatives nga themelimi e deri me sot. “Alternativa si subjekt politik, është parti liberale e qendrës, e vetmja e këtij lloji në Republikën e Kosovës, e cila përpos vlerave liberale, promovon demokracinë, barazinë dhe të drejtat e secilit qytetar pa dallim etnie, feje, race, moshe, statusi social apo orientimi individual”.
Gjithashtu gjatë këtij Kuvendi me motivacionin; “Për kontributin e çmuar në luftë dhe në liri, për shembullin e njeriut model të qytetarisë dhe atdhetarit, bashkëpunëtorit dhe aktivistit”,  është nderuar me Mirënjohje Post Mortum, kryetari i ndjerë i degës së Alternativës në Gjakovë, Gurakuq Dobruna – Kuqi.
Kuvendi i Alternativës ka zgjedhur sot Këshillin e Përgjithshëm në përbërje 41 anëtarë, kurse Kryesia e partisë do të zgjedhet nga Këshilli i Përgjithshëm në ditët në vijim./21Media

Back to top button