Ministrat kritikohen për papërgjegjësi

Deputetët e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike kanë kritikuar ministrat e Qeverisë Kurti për shpërfillje të raportimit në këtë komision.
Pozitë dhe opozitë kanë shprehur të indinjuar me refuzimin e ministrit të Shëndetësisë, Rifat Latifi për të diskutuar për raportin e auditimit të performances” Furnizimi me barëra dhe materiale shëndetësore për t’iu përgjigjur nevojave të pacientëve me COVID-19 dhe raportin “optimizimi i resurseve njerëzore dhe pajisjeve teknike mjekësore për t’iu përgjigjur nevojave të pacientëve me COVID-19”. Madje disa prej deputetëve opozitarë i kanë quajtur të papërgjegjshëm ministrat e qeverisë në raport me komisionet parlamentare.
Kryetarja e komisionit nga radhët e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka thënë se arsyetimi i ministrit Latifi për të mos marrë pjesë në raportimin e sotëm, ishte se nuk i ka gjitha informacionet dhe koha për konfirmimin e takimit ishte e shkurtër. Sipas saj, ministri ka dhënë opsion që raportet nën prezencën e tij të shqyrtohen me datë 29 mars.
“Si komision nuk kemi përvojë të mirë sa i përket prezencës së ministrave dhe disponimit të tyre për të raportuar, megjithatë janë dy raporte jashtëzakonisht të rëndësishme…E dina se ministri pak më vonë e ka marrë mandatin. Arsyetimi i tyre ka qenë se nuk i kanë të gjitha informacionet dhe nuk kanë qenë të përgatitur. Gjithashtu, koha për konfirmimin e takimit iu është dukur e shkurt”, ka thënë ajo.
Kritik për mos prezencën e ministrave për të raportuar në këtë komision ka shprehur edhe deputeti i mazhorancës, Eman Rrahmani.
“Është shumë e vërtet që ne nuk jemi duke pasur praktik të mirë në raportimet që kemi, qoftë të ministrave apo institucioneve të tjera. Si e tillë ne bashkërisht jemi dakorduar në parim që t’iu dërgohet ftesa të gjithëve dhe momentin që nuk marrin pjesë në mënyrë automatike këto raporte të diskutohen dhe dërgohen në seancë në Kuvend”, ka deklaroi Rrahmani
Ndërsa, deputeti i PDK-së, Hajdar Beqa, ka thënë se ministrat e Qeverisë Kurti janë të papërgjegjshëm në raport me komisionet parlamentare.
“Me keqardhje e them po është një papërgjegjësi e ministrave në raport me komisionet parlamentare. Është e udhës të presim ministrin, por jo me datën 29 sepse ne kemi një agjendë të komisionit dhe të shikohet për një datë në javën e ardhshme. Në të kundërtën, mendoj se kjo çështje është shumë me rëndësi të diskutohet edhe në seancë. Pasi kemi të bëjmë me furnizim të barnave, kohën më të rëndë që kemi kaluar dhe menaxhimin e pandemisë”, ka thënë Beqa.
Nga ana tjetër, megjithëse nuk është anëtar i këtij komisioni, deputeti tjetër i PDK-së, Bekim Haxhiu ka adresuar kritika edhe për raportet e auditimit.
“Ka disa gjëra që ky raport i auditimit nuk i prezanton dhe të cilat janë shumë të rëndësishme. Menaxhimi i parasë publike gjatë kësaj periudhe kohore. Ju njoftoj se Komisioni Parlamentar për Shëndetësi mandatin e kaluar bazuar në atë që është punuar si komision kemi dorëzuar në prokuroi një raport të keqpërdorimeve në kohën e pandemisë COVID 19. Auditimi nuk është marrë me këtë dhe është marrë vetëm në aspektet e furnizimit me barna, mangësitë dhe aspektet humanitare”, ka thënë Haxhiu.
Krahas këtyre, komisioni ka diskutuar edhe për planin e punës dhe për agjendën në javët e ardhshme./KP

Back to top button