Osmani: Gjithnjë ajo çka veshim po bëhet më me rëndësi sesa ajo çka po punojmë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka treguar se është ballafaquar me shumë barriera përgjatë rrugëtimit të saj politik. Ajo ka thënë se “gjithnjë ajo çka veshim po bëhet më me rëndësi sesa ajo çka po punojmë”.
Osmani ka uruar që fjalët “gratë” dhe “vajzat” të jenë sinonim i triumfit, suksesit dhe ngadhënjimit.
“Duhet të bashkohemi që të gjithë gra e vajza, burra e djem, të rinj e të moshuar që t’i japim frymë barazisë gjinore në shtëpi, në rrugë, në vende pune, në institucione, në komunitet e kudo tjetër”, është shprehur ajo.
Osmani dhe kryeministri Albin Kurti janë zotuar se objektiv i tyre strategjik është krijimi i kushteve të barabarta për gratë.
Më tej, Osmani ka përmendur sukseset në sport, art e kulturë, duke shtuar se ende vazhdojnë të frymojnë paragjykimet.
“Vajzat dhe gratë lehtësisht kategorizohen e etiketohen përpara se të dëgjohen e të vlerësohen. Vajzat dhe gratë sulmohen para se të respektohen e trajtohen me dinjitet. Vajzat dhe gratë refuzohen përpara se tu hapen dyert sepse gjithmonë ka një arsyetim, gjithnjë një pengesë, gjithnjë një dyshi. Për mua dhe koleget e mia që janë këtu në politikë, gjithnjë ajo çfarë veshim është më me rëndësi se ajo çka ne punojmë. Shpeshherë tentoj të mos i shpërfaq në plotni barrierat e shumta me të cilat jam ballafaquar përgjatë rrugëtimit profesional e politik”, ka deklaruar Osmani.
Në Ditën Ndërkombëtare të Gruas, Agjencia për Barazi Gjinore ka organizuar ngjarjen me temën “Zhbëjmë paragjykimet, punojmë për gjithëpërfshirjen”./21Media

Back to top button