Ministri i Mbrojtjes së Letonisë: Gjithçka është e qetë në kontingjentin e ushtarëve në Kosovë

Pas situatës së krijuar në Veri të Mitrovicës, Ministri i Mbrojtjes së Letonisë, Artis Pabriks, ka thënë se është në komunikim me ushtarët e kontingjentit të Letonisë në Kosovë, duke potencuar se nuk ka asnjë devijim nga dita e zakonshme e punës së tyre.
“Jam në komunikim me ushtarët e kontingjentit të Letonisë në Kosovë. Nuk ka asnjë devijim nga dita e zakonshme e punës në punën e tyre, as në këto ditë dhe as në orët e fundit. Gjithçka është e qetë, kontingjenti po punon sipas planit. Faleminderit atyre për shërbimin e shkëlqyer dhe krijimin e një imazhi të shkëlqyer të Letonisë!”, ka shkruar Pabriks në Twitter.
Serbët lokalë në veri të Kosovës kanë bllokuar të dielën me kamionë me mjete tjera rrugët që çojnë drejt dy pikëkalimeve kufitare, që lidhin Kosovën dhe Serbinë – Jarinjë dhe Bërnjak – por edhe në pjesë të tjera në veri të Kosovës.
Bllokadat vijnë një ditë para se të hyjnë në fuqi dy vendime të Qeverisë së Kosovës që kanë të bëjnë me targat dhe dokumentet serbe.
Policia e Kosovës ka njoftuar se ka mbyllur pikëkalimet kufitare Jarinjë dhe Bërnjak – për qarkullim të udhëtarëve dhe automjeteve – për shkak të bllokadave të vendosura dhe ka njoftuar qytetarët që të përdorin rrugë alternative./21Media
 

Back to top button