Ministri Lluka ndan mijëra euro për “shkollën e tij”

Investimi është pjesë e projektit “Promovimi i Efiçiencës së Energjisë në nivel lokal përmes zbatimit të masave të Efiçiencës së Energjisë”

Ministria e Zhvillimit Ekonomik ka nënshkruar memorandum të bashkëpunimit me Komunën e Gjakovës që kap shifrën totale prej 480 mijë euro të cilat do të investohen në shkollën “Ylli Morina” në Gjakovë, shkollë e cila e sot shënoi ditën e saj.

“Gjatë kësaj ngjarje, bashkë me Kryetarin e Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, nënshkruam marrëveshje bashkëpunimi ku Ministria e Zhvillimit Ekonomik do të investoj në këtë shkollë me rreth 480,000 EUR për të bërë këtë shkollë efiçiente në aspektin energjetik, duke ndryshuar tërësisht dyert, dritaret, kulmin, izolimin dhe çdo gjë tjetër që ndërlidhet me efiçiencë, ndërkohë duke e ruajtur arkitekturën aktuale.”, ka bërë të ditur Ministri i MZHE Valdrin Lluka.

Tutje Lluka ka treguar  se projekti është i ndarë në dy faza: Faza aktuale përmes kësaj marrveshje rreth 300 mijë euro dhe pjesa tjetër gjatë vitit me shumën e mbetur prej rreth 180 mijë euro.

Valdrin Lluka në këtë shkollë ka kryer shkollimin fillor dhe të mesëm. “Pas 22 viteve, u ktheva në shkollën ku kam kryer shkollën fillore dhe të mesme. Shkolla fillore “Yll Morina” në Gjakovë sot shënoj ditën e saj që mban emrin e heroit tonë Yll Morina, i rënë heroikisht 20 vite më parë.”, ka bërë të ditur Lluka përmes një postimi në Facebook.

Ministria e Zhvillimit Ekonomik, siç thotë Lluka ka ndihmuar dhe vazhdon të ndihmojë edhe shumë shkolla dhe universitete, spitale dhe objekte publike tjera anembanë Kosovës përmes projektit për efiçiencë të energjisë me Bankën Botërore, që kap një vlerë prej rreth 30 milionë EUR. “Efiçienca do të mbetet një sektor me rëndësi që ndihmon jo vetëm me gjenerimin e vendeve të punës, por edhe me rritjen e mirëqenies për ata që përdorin këto objekte në baza ditore dhe zvogëlimin e shpenzimeve të faturave energjetike.”, ka premtuar ai./21Media

Back to top button