Ministri mungon në mbledhjen e Komisionit për Financa, opozita e quan joserioz

Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu nuk është paraqitur në Komisionin për Mbikëqyrjen e Financave, ani se dy herë kishte konfirmuar një gjë të tillë.

Kryetarja e Komisionit, Hykmete Bajrami, ka thënë se ministrit i ishin ofruar disa data dhe ka pranuar që të jetë me datën 20 shkurt, por më pas kishte kërkuar që të shtyhet ora nga 11:00 për në ora 14:00, por përsëri s’ka ardhur duke kërkuar që kjo të shtyhet për një datë tjetër.

Bajrami ka thënë pasi i janë ofruar disa data dhe ka pasur konfirmim, është mirë të vazhdohet me shqyrtim të raportit, pasi sipas saj, ministri është treguar jo serioz lidhur me këtë çështje.

Por, deputetët e Vetëvendosjes kanë kërkuar që raportimi i ministrit për raportin e auditimit të performances, prokurimet e negociuara pa publikim të njoftimit për kontratë në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës në vitin 2021, të shtyhet për datën 27 shkurt.

Ani se edhe ata e quajtën papërgjegjësi nga Ministri mos paraqitjen në Komision, por sipas tyre është e rëndësishme që të jetë prezent ministri gjatë shqyrtimit.

E deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Hajdar Beqa, ka thënë se është mirë që të shqyrtohet raporti këtu dhe të përcillet më pas për shqyrtim në seancë.

Në mbledhje pati përplasje mes deputetëve të Vetëvendosjes dhe opozitës lidhur me mosprezencën e ministrit. Beqaj i PDK-së kërkoi nga prokuroria që të hetojë gjetjet e raportit duke thënë se ata nuk janë për t’ia bërë gjyqin askujt.

Back to top button