Ministri Peci: Paratë e taksapaguesve duhet të destinohen në adresa meritore

Ministri i Bujqësisë, Faton Peci ka përshëndetur aksionin e sotëm të policisë së Republikës së Kosovës për rastin “subvencioni 2021″ dhe organeve tjera të drejtësisë në përpjekjen për sundimin e së drejtës në institucione tona.
Ai përmes një postimi në ”Facebook”, ka thënë se paratë e taksapaguesve të qytetarëve të Republikës së Kosovës duhet të destinohen vetëm në adresa meritore, në këtë rast vetëm tek fermerët meritorë.
”Këto arrestime janë në vazhdën e arrestimeve të mëhershme të muajit shkurt dhe qershorit të këtij viti. Bashkëpunimi me organet e drejtësisë për ti dhënë epilog të gjitha keqpërdorimeve dhe abuzimeve të parasë publike në Institucionet e Republikës së Kosovës nuk ka alternativ, është imperativ i kohës”, ka shkruar Peci.
Ndryshe, sot me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Policia e Kosovës, përkatësisht hetuesit policorë të Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike, kanë realizuar një aksion i cili është vazhdim i aksioneve të mëhershme për rastin “Subvencioni 2021”, në disa lokacione të ndryshme të vendit. Prokuroria Speciale ka njoftuar se nga ky aksion janë ndaluar dhe intervistuar gjithsej 31 persona, prej tyre 12 zyrtarë me pozita të ndryshme nga komunat dhe zyrat rajonale të Agjencionit Zhvillimor të Bujqësisë dhe zyrës rajonale të APK./21Media

Back to top button