Ministri Peci premtoi përkrahje për kultivuesit e mollës

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, sot me rastin e Ditës Botërore të Mollës, ka vizituar kultivuesit e kësaj kulture bujqësore në Komunën e Kamenicës, të cilët tashmë edhe kanë filluar vjeljen e këtij fruti.
Siç ka informuar ministria, Peci është njohur nga afër me procesin e vjelës së kësaj kulture, si dhe me ecurinë  e veprimtarive bujqësore të këtyre kultivuesve. Me këtë rast, ai i ka përgëzuar ata për punën e tyre frytdhënëse dhe angazhimin e tyre për të prodhuar kultura cilësore.
“Kultivuesit e mollës dhe ata të kulturave tjera bujqësore do ta kenë përkrahjen përmes politikave të duhura dhe programeve të avancuara  bujqësore, për t’u krijuar kështu mundësi që kultivuesit në vendin tonë ta rrisin prodhimtarinë dhe cilësinë e prodhimeve bujqësore e krahas kësaj të bëjnë edhe modernizimin e infrastrukturës përcjellëse për kultivim.”, ka thënë Peci.
Ndër tjerash, ai ka theksuar se do të angazhohen në përmirësimin e kushteve për mbrojtje dhe kultivim të mollës dhe pemëve të tjera, për të arritur zëvendësimin e importit me prodhimeve vendore.
“Përkrahja e MBPZhR-së për kultivuesit e mollës përmes pagesave direkte në kuadër të programit mbështetës të këtij viti është 400 euro për hektarë.”, ka bërë të ditur ministria./21Media

Back to top button