Ministri Peci shkarkon këshilltarin e tij Hysen Muzliukaj i cili u arrestua sot për korrupsion

(Lajm i përditësuar)


Ministri Peci shkarkon këshilltarin e tij Hysen Muzliukaj i cili u arrestua sot për korrupsion

Ministri i Bujqësisë, Faton Peci  e ka liruar sot nga detyra këshilltarin e tij, Hysen Muzliukaj.

Këtë portalin rtv21.tv e konfirmoi shefja e kabinetit të minsitrit Peci, Flutur Mustafa.

“Ministri Faton Peci, deri sa drejtësia ta thotë fjalën e fundit, Z. Muzliukaj e ka liruar nga detyra.”, tha ajo.

Vendimi vjen pas arrestimit të Muzliukaj nën dyshimet për korrupsion.


Faruk Mujka e Hysen Muzliukaj dërgohen në mbajtje për 48 orë

Prokuroria Speciale ka konfirmuar se i është caktura masa e ndalimit prej 48 orësh Faruk Mujkës e Hysen Muzliukajt.


Policia bastisi pronën e Faruk Mujkës dhe këshilltarit të ministrit Peci

Prokuroria Speciale ka konfirmuar raportimin për arrestimin e Faruk Mujkës dhe Hysen Muzliukaj të dyshuar për korrupsion.

Veç kësaj, gjatë bastisjeve janë gjetur edhe 60 mijë euro para kesh.

Mujka aktualisht mban pozitën e drejtorit në ndërmarrjen publike “Ibër Lepenci” derisa Hysen Muzilukaj është këshilltar i ministrit të Bujqësisë. Mujka dhe Muzilukaj dysohen për korrupsion në kohën sa ishin zyrtarë në Komunën e Mitrovicës Jugore.

“Nën mbikëqyrjen e Prokurorisë Speciale, Policia e Kosovës, Njësia e Veçantë e Hetimeve, ka kryer bastisje në këto dy lokacione, pronë e dy të dyshuarve. Gjatë bastisjes në njërin lokacion, ndër të tjera janë gjetur dhe sekuestruar shuma e të hollave prej gjashtëdhjetë mijë (60.000.00) euro”, thuhet në njoftimin e PRSK-së.

Prokuroria Speciale njofton se ekziston dyshimi i arsyeshëm se të pandehurit F.M dhe H.M, në cilësi të personave zyrtarë, me dashje kanë shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar me qëllim të përfitimit të dobisë së kundërligjshme pasurore për vete apo për tjetrin, kanë tejkaluar kompetencat e tyre zyrtare dhe nuk i kanë respektuar detyrat dhe përgjegjësitë e tyre që të ushtrojnë funksionin e tyre në bazë të ligjit.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës lidhur me këtë rast njofton opinionin publik se në maj të vitit 2022 ka pranuar informacione, lidhur me dyshimet për keqpërdorim të pozitës dhe autoritetit zyrtar nga dy persona, në atë kohë pjesë e strukturave udhëheqëse në komunën e Mitrovicës së Jugut. Menjëherë pas pranimit të këtyre informacioneve PSRK ka autorizuar Policinë e Kosovës, për ndërmarrjen e veprimeve hetimore, me qëllim mbledhjen e provave.

Pas marrjes së informacionit në bazë të autorizimeve të PSRK-së, Policia e Kosovës ka ndërmarrë një sërë veprimesh hetimore, ndërsa me datë 03.07.2023, ka paraqitur Kallëzim Penal ndaj zyrtarëve me inicialet F.M. dhe H.M., me dyshimin se gjatë kohës sa ishin pjesë e udhëheqësisë në komunën e Mitrovicës së Jugut, gjatë vitit 2021, janë përfshirë në kryerjen e veprës penale “Keqpërdorim i pozitës dhe autoritetit zyrtar”, e sanksionuar me nenin 414 të Kodit Penal të Republikë së Kosovës.

Arrestohet Faruk Mujka i dyshuar për korrupsion

Sot në një aksion është arrestuar Faruk Mujka kryeshef ekzekutiv i Bordit të Ndërmarrjes Hidroekonomike “Ibër-Lepenci”, nën dyshimin për korrupsion, derisa ishte nënkryetar i Komunës së Mitrovicës, bëjnë të ditur burime të “Betimit për Drejtësi” brenda prokurorisë.

Mujka ishte nënkryetar i Mitrovicës, në kohën sa kjo komunë udhëhiqej nga Kryetari Agim Bahtiri. Mujka njëherësh ishte edhe Kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje në Mitrovicë.

Sipas raportimeve të mediave, ish-nënkryetari i Mitrovicës kishte qenë pjesë e partisë së gruas së Sllobodan Millosheviqit, Mira Markoviq. Këto pretendime, Mujka nuk i ka mohuar asnjëherë.

“Sa i përket partisë se jullit, gjatë këtyre viteve kam pasur takime, konsultime, dreka e darka dhe shumë foto me pothuaj shumicën e komandantëve të famshëm. Asnjëri nuk ma ka përmendur as jullin as gruan e Sllobës. Tash ose ata nuk mendojnë si ju ose ndoshta edhe ata kanë qenë me mua ne jull”, kishte shkruar Mujka në një reagim./BetimipërDrejtësi

NDIQNI PJESËT MË INTERESANTE TË PROGRAMIT TË RTV21, DUKE BËRË LIKE KËTË FAQE – 21 MEDIA

Back to top button