Ministri ukrainas i mbrojtjes : Jemi anëtar de facto i NATO-s

Ukraina është bërë një anëtare de fakto e aleancës ushtarake të NATO-s, thotë ministri ukrainas i mbrojtjes, pasi sipas tij vendet perëndimore dikur të shqetësuara se ndihma ushtarake mund të shihej si një përshkallëzim nga Rusia ndryshuan “qasjen e tyre të të menduarit”.
Në një intervistë për BBC, Oleksii Reznikov tha se ishte i sigurt se Ukraina do të merrte armë të kërkuara prej kohësh, duke përfshirë tanke dhe avionë luftarakë, pasi Ukraina dhe Rusia dukej se po përgatiteshin për ofensiva të reja në pranverë.
“Ky shqetësim për nivelin e ardhshëm të përshkallëzimit, për mua, është një lloj protokolli,” tha Reznikov.
“Ukraina si vend, dhe forcat e armatosura të Ukrainës, u bënë anëtare e NATO-s. De fakto, jo de jure [me ligj].
Sepse ne kemi armatim dhe kuptojmë se si t’i përdorim ato.”
Presidenti rus Vladimir Putin e ka cilësuar pushtimin e tij në Ukrainë si një betejë ekzistenciale kundër vendeve perëndimore që duan të dobësojnë Rusinë.
Figura ruse kanë argumentuar se po luftojnë NATO-n në Ukrainë, pasi Perëndimi e ka furnizuar vendin me armë në atë që ata e shohin si një luftë agresioni.
Ukraina, për vite me radhë, ka kërkuar të bashkohet me NATO-n, diçka që presidenti Putin e ka përshkruar si një kërcënim sigurie për Rusinë./21Media

Back to top button