Ministria e Arsimit: Jemi informuar për presione të shumta politike në shkolla

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI), ka kërkuar që të respektohen të drejtat e mesimdhënësve të cilët nuk janë në grevë dhe duan të punojnë, duke thënë kanë informata për “presione të shumta politike tek shkollat”.
Sipas të dhënave të Ministrisë, situata dallon nga shkolla në shkollë, ku në disa ka nisur procesi mësimor e në disa të tjera mësimi është mbajtur pjesërisht.
“Duke respektuar të drejtën e atyre që janë në grevë presim që të respektohet edhe e drejta e mësimdhënësve të cilët nuk janë në grevë dhe duan të punojnë”, thuhet në reagimin e MASHTI-it.
Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit po u bënë thirrje Drejtorive Komunale të Arsimit që t’i përgjigjen obligimit dhe të mbajnë komunikime në vijë institucionale rreth vijueshmërisë së procesit mësimor në shkolla.
“Dyert e shkollave nuk duhet të mbyllen. Humbja e mësimit është cënim i të drejtës themelore të fëmijëve për arsimim|, ka deklaruar MASHTI.
Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit ka njoftuar se sot më 1 shtator shumica e shkollave në Kosovë nuk kanë mbajtur mësim për shkak të grevës së shpallur nga BSPK.
Mësimdhënësit, edukatorët në kopshtet publike, punëtorët e administratës publike, shërbyesit civilë në institucionet lokale dhe qendrore të Kosovës, nga 25 gushti kanë hyrë në grevë. Kërkesa kryesore e tyre është ndarja e nga 100 eurove, derisa të hyjë në fuqi Projektligji për pagat./21Media 

Back to top button