Ministria e Drejtësisë tërheq nenet e propozuara të Kodit Penal

Ministria e drejtësisë synon bashkëpunim me shoqërinë civile

Përmes një njoftimi të dërguar nga Ministria e Drejtësisë, thuhet se është marrë vendim për tërheqjen e menjëhershme të neneve të propozuara (fyerja ndaj shtetit dhe simboleve shtetërore) dhe (fyerja ndaj organeve kushtetuese), nga propozimi për plotësimin dhe ndryshimin e Kodit Penal të Kosovës.

“Duke marrë parasysh shqetësimet e ngritura nga shoqëria civile, Ministria e Drejtësisë njofton opinionin publik se me efekt të menjëhershëm tërheq nenet e propozuara 134/C (“fyerja ndaj shtetit dhe simboleve të shtetit”) dhe 134/D (“fyerja ndaj organeve kushtetuese”) nga propozimi për plotësimin dhe ndryshimin e Kodit Penal të Republikës”, thuhet në njoftimin e ministrisë.

Sipas këtij njoftimi, Ministria e Drejtësisë dëshiron të theksojë se i merr seriozisht shqetësimet e shoqërisë civile lidhur me çdo propozim që vjen nga Ministria e Drejtësisë dhe dëshiron të dëshmojë se është e gatshme të bëjë idetë dhe propozimet e shoqërisë civile pjesë të vendimeve të saj.

“Ministria e Drejtësisë synon të vazhdojë dhe të thellojë bashkëpunimin me shoqërinë civile të Kosovës në të gjitha fushat që janë në përgjegjësinë e saj dhe do të sigurojë që shoqëria civile do të përfshihet në të gjitha proceset e politik-bërjes dhe hartimit të legjislacionit, duke përfshirë Kodin Penal, Kodin e Procedurës Penale dhe tërë rishikimin funksional të sistemit të sundimit të ligjit në Kosovë”, thuhet tutje./21Media

 

Back to top button