Ministria e Financave lanson Programin për reforma në ekonomi 2024-2026

Në cilësinë e Koordinatorit Nacional të Programit për Reforma Ekonomike, Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka udhëhequr takimin lansues për ciklin e ri të procesit për hartimin e Programit për Reforma në Ekonomi (PRE) për periudhën 2024-2026.

Në njoftimin e MFPT-së thuhet se krahas përgatitjes së vendeve të Ballkanit Perëndimor për pjesëmarrjen e tyre në procedurat e koordinimit të politikave ekonomike me Bashkimin Evropian, ky dokument paraqet një instrument planifikimi të reformave përmes të cilave Qeveria planifikon të shtyjë zhvillimin ekonomik të vendit përgjatë periudhës 2024-2026.

“Ky program, njëherazi përfaqëson edhe nivelin më të lartë të angazhimit mes BE-së dhe vendeve kandidate dhe kandidate potenciale të Ballkanit Perëndimor dhe Turqisë respektivisht; në pjesëmarrjen e këtyre të fundit në procedurat e koordinimit të politikave Ekonomike me Bashkimin Evropian”, thuhet në komunikatë.

Programi është i përbërë nga 3 fusha dhe 12 nën-fusha të përcaktuara nga Komisioni Evropian, e që janë: Konkurrueshmëria, Qëndrueshmëria dhe Kapitali Njerëzor.

Siç njofton Ministria e Financave, zbatimi i reformave të identifikuara në PRE është tejet i rëndësishëm në përmirësimin e konkurrencës, krijimin e vendeve të punës, gjithëpërfshirjen sociale, si dhe përmbushjen e kritereve ekonomike gjatë procesit të anëtarësimit.

Back to top button