“Ministria shkeli të drejtat e personave Paraplegjik dhe Tetraplegjik”

 

Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS), ka vepruar në kundërshtim me obligimet kushtetuese dhe ligjore, duke kufizuar të drejtat e kësaj kategorie të personave gjatë pandemisë. Kështu bëhet e ditur nga raporti i Qendrës për Ndihmë Juridike dhe Institutit të Kosovës për Drejtësi Paligjshmëria e MPMS-së ndaj personave Paraplegjik dhe Tetraplegjik.

“Në bazë të pesë (5) rasteve të cilat QNJ-IKD i ka pranuar gjatë periudhës nëntor-dhjetor 2020, ka rezultuar se MPMS-ja ka bërë rivlerësimin e personave të cilët kanë fituar statutin e personave paraplegjik dhe tetraplegjik që nga viti 2017, duke mos respektuar obligimet që dalin me ligjin dhe rregulloren që e trajton këtë çështje, pasi ka vendosur të bëj rivlerësimin e tyre pa i ftuar palët në ekzaminim fizik, duke u mjaftuar vetëm me dokumentacionet mjekësore të cilat palët i kanë dorëzuar në vitin 2017, kur ata edhe e kishin fituar këtë status.”, thuhet në raport.

Tutje nga gjetjet e raportit bëhet e ditur se përveç tyre, sipas të dhënave të MPMS-së, në procesin e rivlerësimit gjatë periudhës së pandemisë (mars-dhjetor 2020), pas refuzimit të palëve që më parë kanë qenë përfitues të Ligjit, janë bërë 319 ankesa, 261 prej të cilave janë refuzuar edhe në shkallën e dytë të MPMS-së, përmes disa vendimeve kryesisht shabllone. Ndërsa, edhe pse përmes procedurës ankimore përcaktohet që të eliminohen gabimet eventuale të shkallës së parë, në praktikë rezulton se Komisioni i Ankesave i MPMS-së ka bërë gabimin e njëjtë duke mos përmirësuar shkeljet e komisioneve vlerësuese. Një qasje e tillë ka ndikuar në kufizimin e të drejtave të garantuara me ligj për personat që kanë fituar statutin e personave paraplegjik dhe tetraplegjik.

QNJ-IKD rekomandon që duke marrë parasysh periudhën e vështirë me pandeminë Covid-19, MPMS-ja duhet që të ndal mohimin e të drejtave ligjore të personave të cilët tash e tre (3) vite marrin kompensim nga MPMS-ja dhe në një periudhë sa më të shpejtë kohore të bëj edhe një rivlerësim për personat që janë rivlerësuar pa u bërë ekzaminime fizike në zyrat rajonale të ministrisë./21Media

Back to top button