Ministrja e Jashtme e Suedisë: Kosova dhe Serbia ta bëjnë dialogun prioritet

 

Ministrja e Jashtme e Suedisë, Ann Linde sot ka bërë të ditur se ka zhvilluar një takim me emisarin special të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, me të cilin ka biseduar për dialogun të ndërmjetësuar nga BE.

Linde përmes një postimi ka theksuar se Kosova dhe Serba duhet ta bëjnë dialogun prioritet.

“Normalizimi midis Kosovës dhe Serbisë është rruga përpara. Të dy shtetet duhet ta bëjnë prioritet dialogun.”, ka shkruar ajo në twitter.

Ndryshe, kryeministri Albin Kurti, më 29 prill, pas takimit me Përfaqësuesin e lartë të BE-së, Josep Borrell ka deklaruar se dialogu nuk do të jetë i neglizhuar nga ana e Kosovës. “Dialogu nuk do të jetë i neglizhuar nga ne. Unë do të vij përsëri në mes të majit për darkën që keni organizuar me liderët e Ballkanit perëndimor dhe do të shikoj që të kem biseda e takime për të filluar një periudhë të re të dialogut”, ka thënë Kurti në konferencë për media pas takimit. Kurti si datë të mundshme për rifillimin e dialogut e ka përmendur muajin qershor./21Media

Back to top button