Ministrja Hajdari: Greqia është një partner i rëndësishëm ekonomik për Kosovën

Në vazhdim të vizitës zyrtare në Athinë të delegacionit nga Kosova, të udhëhequr nga ministrja Rozeta Hajdari, dje u mbajt Forumi i Biznesit ndërmjet Greqisë dhe Kosovës.
Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ka njoftuar se ngjarja e përbashkët me pjesëmarrje të bizneseve kosovare dhe greke, me organizim nga Agjencia për Promovimin e Investimeve dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve (KIESA) dhe Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë e Athinës, filloi me fjalimet përshëndetëse nga ministrja e MINT-it, Rozeta Hajdari dhe zëvendësministri i Punëve të Jashtme për Diplomacinë Ekonomike dhe Hapje, Kostas Fragogiannis dhe vazhdoi me nënshkrimin e Memorandumit të Mirëkuptimit nga KIESA në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë me Enterprice Greece në kuadër të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Greqisë.
Ministrja Hajdari tha se, Forumi i Biznesit paraqet një hap të rëndësishëm në forcimin e marrëdhënieve ekonomike në mes Greqisë dhe Kosovës dhe përmendi vizitat e fundit më të shpeshta zyrtare në nivel politik ndërmjet dy vendeve.
“Greqia është një partner i rëndësishëm ekonomik për Kosovën dhe sot jemi në Athinë, një nga qytetet më të vjetra në botë, së bashku me ndërmarrësit tonë me synim forcimin e bashkëpunimit ekonomik në sektorë të industrisë së drurit, tekstilit, ndërtimit, dizajnit grafik, energjisë së ripërtërishme, metalit, produkteve plastike dhe agro-produkteve. Prezenca jonë sot në Athinë, është për të përcjellë përkushtimin e qeverisë së Kosovës së bashku me ndërmarrësit tanë, që ky bashkëpunim të jetë i suksesshëm dhe me përfitime reciproke”, tha ministrja Hajdari.
Ministrja Hajdari potencoi zotimet dhe angazhimet e Qeverisë së Kosovës, duke qenë gjithmonë e orientuar drejt BE-së me zbatimin e suksesshëm të Agjendës së Reformës Evropiane (ERA) dhe siguroj se edhe do të jetë gjithmonë me shikim nga Perëndimi. Ajo sjelli në pah sektorët industrial kryesor dhe në rritje, që janë me potencial plotësues në zinxhirin rajonal të furnizimit dhe njoftoi për veprimet e Qeverisë që kontribuojnë në përmirësimin e mjedisit për të bërit biznes dhe nxitjen e investimeve në Republikën e Kosovës.
Ndërsa, zëvendësministri Fragogiannis theksoi përkushtimin e Greqisë për thellimin e raporteve me Republikën e Kosovës dhe rëndësinë e bashkëpunimit reciprok në mes dy vendeve për zhvillim ekonomik dhe rajonal. Ai theksoi dyfishimin e shkëmbimeve tregtare mes Greqisë dhe Kosovës në 5 vitet e fundit dhe shprehi gatishmërinë në arritjen e rezultateve konkrete në projekte me interes të përbashkët për të dy vendet.
Forumi u përmbyll me takimet e rrjetëzimit të bizneseve kosovare- greke, të cilat shkëmbyen përvojat dhe janë potencial për krijimin e partneriteteve dhe rritjen e bashkëpunimit ekonomik Kosovë – Greqi.

Back to top button