Ministrja Hajdari shpallet fajtore, dënohet me 700 euro

Ministrja Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike në Qeverinë e Republikës së Kosovës, Rozeta Hajdari është shpallur fajtore dhe është dënuar me 700 euro për “Mosraportim të pasurisë”
Lajmin e ka konfirmuar Gjykata Themelore e Prishtinës përmes një komunikate për media.
“Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti i Përgjithshëm, Divizioni Penal ka shpallur aktgjykimin kundër të akuzuares R.H për veprën penale Mos raportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare”, nga neni 430 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. E akuzuara R.H është shpallur fajtor dhe është dënuar me dënim me gjobë në shumën 700 (shtatëqind) euro, i cili dënim do të ekzekutohet në afat prej 15 ditëve nga dita kur ky Aktgjykim të bëhet i plotfuqishëm”, thuhet në komunikatë.
Gjykata ka thënë se e akuzuara R.H në cilësinë e zyrtares së lartë publike, si Ministre e Ministrisë së Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike në Qeverinë e Republikës së Kosovës, duke qenë e vetëdijshme për detyrimin e saj ligjor nuk e ka respektuar nenin 6 paragrafin 1 nën paragrafin 1.1 lidhur me nenin 7 të Ligji për Deklarimin, Prejardhjen dhe Kontrollin e Pasurisë të Zyrtarëve të Lartë Publik.
Kundër këtij aktgjykimi është e lejuar ankesa në afat prej 15 ditëve nga koha e pranimit të të njëjtit, në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë./21Media

Back to top button