UNMIK mirëpret masat për t’i ulur tensionet në veri të Kosovës

Shefja e UNMIK-ut, Caroline Ziadeh, ka mirëpritur gjitha masat për t’i ulur tensionet në veri të Kosovës, përfshirë vendimin për heqjen e barrikadave.
Ajo po ashtu ka bërë thirrje që palët të kthehen në tavolinë të dialogut e të arrihet një marrëveshje normalizimi.
“Ajo pranon përpjekjet e mundimshme të të gjitha palëve, përfshirë partnerët ndërkombëtarë, për të garantuar sigurinë e qytetarëve të të gjitha komuniteteve në Kosovë. Ziadeh thekson rëndësinë e mbajtjes së zotimeve dhe të rifillojnë pa vonesë bisedimet për adresimin e plotë të çështjeve të pazgjidhura dhe normalizimin e marrëdhënieve. Ajo shpreh vlerësimin e saj për vendosmërinë e palëkundur të partnerëve ndërkombëtarë për ta nxitur dialogun në ndjekje të sigurisë dhe stabilitetit, në respektim të plotë të mandatit të tyre”, thuhet në komunikatën e UNMIK-ut.
Barrikada, e cila ndodhej dy kilometra larg pikës kufitare në Merdare, në territorin e Serbisë, është hequr mëngjesin e së enjtes.
Për sot është paralajmëruar edhe largimi i barrikadave nga rrugët e pjesës veriore të Kosovës.
Barrikadat në veri janë vendosur me 10 dhjetor si kundërshtim ndaj arrestimit të ish-pjesëtarit të Policisë së Kosovës, Dejan Pantiq, i cili dyshohet se ka marrë pjesë në organizimin e sulmit ndaj zyrave të Komisionit Qendror në Mitrovicë të Veriut si dhe Zubin Potok./21Media

Back to top button