“Mitrovica e Veriut si Kosova e vitit ‘99”, replika Osmani-Atiq

Kandidati për kryetar të Mitrovicës nga Iniciativa Qytetare Mitrovica, Betim Osmani, në debatin zgjedhor të RTV21 tha se gjendja në veriun e Kosovës është si në Kosovën e vitit 1999.
Ai adresoi kritika për institucionet qendrore pasi që sipas tij nuk po bëjnë punën si duhet, veçanërisht tha për ministrinë e shëndetësisë, arsimit e kulturës.
“Siç e thashë, veriu i Kosovës është Kosova e ’99-ës, këtë duhet ta kuptojnë edhe zyrtarët tanë të qeverisë edhe deputetët tanë që i kemi dërguar në Parlamentin e Kosovës, ne kemi nevojë për gjëra elementare, kthimi, siç e thashë, pra për kthim nuk është duke u marrë ashtu siç duhet, qytetarët e veriut i kanë humb shpresat në qoftë se vazhdojmë me këtë ritëm, duhet me prit edhe 40 vjet deri të kthehem në shtëpinë time”, tha Osmani.
Ndaj kësaj deklarate reagoi kundërkandidati i tij nga LVV-ja, Erden Atiq, njëherësh kryetar aktual i Mitrovicës së Veriut.
Ai mohoi se kjo komunë është si Kosova e vitit ’99. “Mitrovica Veriore për nga dhuna ndëretnike e për nga dhuna në përgjithësi qëndrojnë më mirë se edhe këto komunat jugore poshtë lumit Ibër.
“Sulmi i fundit ndëretnik që ka ndodhur ishte para 3 viteve ose 3 vite e gjysmë. Nuk i ke më ato masakra, kriminelët të cilët kanë eliminuar oponentë politikë serbë, më ato grupe nuk janë, administrata shtetërore e ka shtri sundimin e vet. Në komunën veriore dikasterët e tri ministrive i kanë zyret: Ministria e Brendshme, e Financave dhe e Administratës e Pushtetit Lokal, jemi në pritje të hapjes edhe të dikastereve të ministrive tjera,” tha ai./21Media