​MKRS ndan çmimet “Katarina Josipi”, s’ka çmim për vend të parë

​MKRS ndan çmimet “Katarina Josipi”, s’ka çmim për vend të parë

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit mbajti sot ceremoninë për ndarjen e çmimeve vjetore të konkursit për dramë origjinale shqipe “Katarina Josipi”. Juria kësaj radhe vendosi që të mos ndajë çmimin e parë dhe kjo shkaktoi pakënaqësi në mesin e konkurrentëve.
Çmimi i dytë për dramë origjinale shqipe “Katarina Josipi” i është ndarë dramës “Pastaj lindën legjendat”, me autor Zymber Kelmendi, ndërsa çmimi i tretë i është ndarë dramës “Jeto tani për mua”, me autor Osman Goranci.
Ministri i MKRS-së, Hajrulla Çeku uroi laureatët e çmimeve të këtij viti derisa u shpreh i lumtur që po e vazhdojnë këtë traditë.
“Jam shumë i lumtur që po e vazhdojmë një traditë të Ministrisë së Kulturës për ndarjen e çmimeve për dramë origjinale shqipe “Katarina Josipi”, që është një formë se si Ministria e Kulturës jep mirënjohje dhe në të njëjtën kohë mbështetje për krijimtarinë në vendin tonë”, tha Çeku.
Kryetari i jurisë përzgjedhëse, Shpëtim Selmani, arsyetoi mos ndarjen e çmimit të parë për shkak, se pavarësisht prurjeve të reja, megjithatë tha se ka probleme të teknikës së shkrimit, probleme përmbajtjesore ose mangësi në ruajtjen e kontinuitetetit brenda situatave.
Selmani tha se juria pas leximit të 17 veprave konkurruese, vendosi të eliminojnë tetë sosh dhe të diskutohet për nëntë tjera të mbetura në takimin e radhës. Derisa shtoi se në dy takimet e tjera juria arrin të vendosë në rrethin e ngushtë katër vepra duke i shpërndarë ato për ri-lexim deri në takimin final dhe pas diskutimeve te këtyre katër u vendos që të ndahen vetëm çmimi për vendin e dytë dhe të tretë.
“Me përkushtim të madh dhe vëmendje të lartë kemi lexuar veprat, por gjithnjë duke mos anashkaluar edhe kriteret gjykuese dhe kujdesin e posaçëm për vlerësimin e tyre gjithnjë nën premisat profesionale. Brenda veprave konkurruese ka prurje të reja, megjithatë kanë probleme të teknikës së shkrimit, probleme përmbajtjesore ose mangësi në ruajtjen e kontinuitetit brenda situatave. Duke dashur të ruhet reputacioni i konkursit, me qëllim të ngritjes së nivelit konkurrues gjatë viteve vijuese si dhe ruajtjes së vlerave më te larta artistike apo krijimit të një standardi te kënaqshëm, me përgjegjësi të lartë profesionale vendosëm që vendi i parë të mos ndahet”, tha Selmani.
Autori i dramës “Pastaj lindën legjendat”, Zymber Kelmendi është shprehur i pakënaqur me ndarjen e këtyre çmimeve, derisa tha se juria e ka rezervuar vendin e parë për veten.
“Do të doja që urimin për vendin e parë ta bëja, por në mungesë të asaj po i uroj jurisë që e ka rezervuar këtë vend për veten – urime jurisë… E di se reagime lidhur me këto anomali për konkursin e dramës “Katarina Josipi” ka pasur edhe më herët por, duket se, arsyetimi i zakonshëm se “humbësit gjithnjë ankohen”, i ka mbytur zërat e tillë. Ndaj të njëjtin shqetësim me praktikat e tilla, edhe nga pozita e fituesit të këtij edicioni. Shpresoj qe kësaj radhe ky shqetësim të lexohet drejt”, tha Kelmendi.
Ndërsa, autori Osman Goranci me dramën “Jeto tani për mua” falënderoi MKRS-në për çmimin e dhënë, derisa shtoi se teatrot në Kosovë duhet të kenë më tepër mbështetje institucionale.
“E kisha lutur ministrin dhe gjithë ju që të merrni një vendim që së paku teatrot në Kosovë 50 për qind të përkrahjes ta kenë nga dramaturgët shqiptarë kosovarë, sepse e meritojnë, ka shumë që e meritojnë, por nuk po mund të vijnë në skenë. Publiku e dëshiron dramën shqipe, jemi lodhur, jepet një premierë, pastaj një reprizë dhe pastaj nuk ka asgjë prej atij teatri, kanë shkuar rreth 30 mijë euro nga taksapagues”, tha Goranci./KP

Back to top button