MKSR dhe UP bashkë për projektin e memorializimit të fëmijëve të vrarë në luftë

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka nënshkruar memorandum me Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina” për hartimin e dokumentit narrativ dhe zbatimin e projektit të memorializimit për fëmijët e vrarë apo zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Puna e konsultimeve dhe narrativës për këtë projekt pritet të nis qysh nga ky muaj dhe pritet të përfundoj në gusht, ndërsa në shtator të po këtij viti parashihet të hapet konkurs ndërkombëtar.

Ministri i MKRS-së, Hajrulla Çeku u shpreh se ky projekt është shumë i rëndësishëm për shtetin dhe shoqërinë e Kosovës.

Ai tha se do të konsultohen me familjarët e fëmijëve viktimë gjatë luftës, por edhe fëmijët e mbijetuar dhe dëshmitarë të tjerë me qëllim që ky projekt të jetë i dinjitetshëm.

“Një projekt i rëndësisë së veçantë për shtetin dhe shoqërinë tonë. Përgjatë këtij viti me ndjeshmëri dhe gjithë përfshirje synohet që të takohen dhe konsultohen familjarët e fëmijëve mbi format e memorializimit dhe projektin e memorialit për fëmijët e vrarë. Pas kësaj faze me imputet e familjarëve të fëmijëve dhe komunitetit të gjerë do të shpallet konkursi ndërkombëtar -për hartimin e projektit të memorialit…askush më shumë se ata që kanë humbur fëmijët nuk dinë të na tregojnë dhe rrëfejnë këto krime dhe tmerre që ka shkaktuar Serbia në Kosovë. Për këtë projekt bashkarisht zotohemi se do t’i dedikojmë të gjitha burimet e nevojshme njerëzore, financiare për zbatimin e plotë në kohë dhe standarde të plota. Brenda dy viteve shpresojmë t’i dhurojmë diçka të dinjitetshme publikut dhe familjarëve të fëmijëve viktimë, një memorial që kontribuon në kujtesën e tyre për jetë përballë të gjitha gjeneratave të ardhshme”, theksoi ai.

Ministri, Çeku u shpreh po ashtu se kurdo që ndërtohet ai memorial dhe çfarë do forme ai duhet të jetë projekt që në mënyrën më të mirë do të paraqes kujtimin për fëmijët e vrarë dhe zhdukur gjatë luftës.

Sipas tij forma e këtij projekti të memorializimit do të dihet tek pas përfundimit të konsultimeve, prandaj theksoi se ende nuk dihet kostoja e tij.

“Ne kemi nevojë që kurdo që ndërtohet ai memorial dhe çfarë forme që do të ketë sepse nuk e dimë se si do të bëhet ai memorial në fund ne duhet të sigurohemi që ata që janë të prekur më së shumti nga kjo pjesë e krimeve të luftës të ndjehen mirë dhe të shohim se kujtesa për fëmijët e vrarë është shndërruar në një monument që në mënyrën më të mirë e dokumenton dhe memorializon kujtesën për ta. Me planin tonë dinamik është paraparë që puna e konsultimeve dhe krijimit të një narrative mbi të cilën do të shpallet konkursi ndërkombëtar fillon në mars në muajin aktual dhe afërsisht përfundon në gusht, ndërsa në fillim të shtatorit ne do ta kemi materialin bazë mbi të cilin do të mund që ta shpallim konkursin ndërkombëtar për projektim se a do të jetë një memorial në formën e monumenti, apo të një skulpture apo muzeu këto dalin nga konsultimet edhe të grupit punues”, theksoi ministri Çeku.

Rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, Qerim Qerimi ka shprehur gaditshmërinë e plotë të këtij institucioni për projektin e memorializimit të fëmijëve të vrarë gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Sipas tij do të punojnë në dizajnimin sa më të saktë metodik të konceptit në mënyrë që rezultati të jetë dinjitoz dhe propocional me qëllimin.

“I nderuar që kemi mundësi që përmes kapaciteteve që kemi profesional e ekspertizës që posedojmë që të kontribuojmë një ndërmarrje absolutisht monumentale, një rëndësie të pamatshme sikurse është memorializimi i fëmijëve të vrarë e të zhdukur gjatë luftës….Më e pakta ajo që ne mund të bëjmë është që të mos i harrojmë ata dhe t’i kujtojmë e të gjejmë forma të shprehjes institucionale, historike, monumentale që ekzistenca e tyre të përkujtohet në përjetësi”, theksoi Qerimi.

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka vendosur kontakte përmes të cilave të gjithë të interesuarit mund të bëhen pjesë e konsultimeve për projektin e memorialit të fëmijëve të vrarë dhe zhdukur gjatë luftës në Kosovës. Kontaktet janë : 046-222 -006 apo email memorali@rks0gov.net.

Back to top button