Reagimi i MMPH-së

Reagimi i MMPH-së

Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor ka reaguar pas kallëzimit penal që u dorëzua ndaj tyre.

Veprimet e tilla, MMPH i vlerëson si presion ndaj zyrtarëve publik.

Vlerësojmë se përqendrimi dhe lakimi i emrave të përveçëm nga grupe të tilla jo-qeveritare kanë për qëllim linçimin publik të po këtyre zyrtarëve dhe zhvendosjen e vëmendjes së opinionit, duke orientuar padrejtësisht, pakënaqësitë publike ndaj problemeve të ndërlidhura me ndërtimet në Liqenin e Badovcit nga Komuna në MMPH. Për ne si institucion si dhe për gjithë personelin e MMPH-së, veprime të tilla janë të papranueshme, madje edhe fyese”, thuhet në reagimin e kësaj ministrie.

Tutje ata thonë se MMPH-ja është institucion që vepron në mënyrë transparente, sipas kompetencave të përcaktuara me ligj.

Në rastin specifik për ndërtimet në zonën afër Liqenit të Badovcit, ne i kemi ofruar qasje të plotë të interesuarave dhe përfaqësueseve të mediave në të gjitha dokumentet që ndërlidhen me këtë rast dhe qasje të njëjtë do të kemi edhe me organet e drejtësisë, me qëllim të argumentimit të ligjshmërisë së vendimeve tona”, thuhet në reagim.

Ministria thotë tutje se “është e përkushtuar të zbatojë në përpikëri ligjin në mbrojtje të të gjitha rezervave ujore në Kosovë, dhe me theks të veçantë të Liqenit të Badovcit, dhe që në asnjë rast nuk do të lejojë shkeljen e këtij ligji nga ndërtimet eventuale nga kushdo qoftë”.

Ata poashtu njoftuan palët e interesuara dhe organizatat në fjalë, se Ministria u ofron qasje në të gjitha dokumentet dhe vendimet në lidhje me projektin specifik, me qëllim të sqarimit të gjitha detajeve./21Media