Molliqaj: Kurti u dorëzua, mori obligim ligjor që ta zbatojë marrëveshjen me Asociacionin në qendër

Kryetari i Partisë Socialdemokrate (PSD), Dardan Molliqaj, pas përfundimit të takimit trepalësh në Bruksel, ka thënë se kryeministri Albin Kurti është dorëzuar dhe e ka pranuar marrëveshjen.
Në një reagim të tij, Molliqaj ka thënë dorëzimi i Kurtit nuk do të jetë dorëzim i Kosovës, duke paralajmëruar rezistencë ndaj marrëveshjes.
“Albin Kurti u dorëzua. E pranoi marrëveshjen. Borell e konfirmoi këtë zyrtarisht e publikisht. Ambasadori i Kosovës lëshoi FAKE NEWS përmes mediumit ku ka punuar, në funksion të propagandës së pushtetit. E Kosova zyrtarisht mori obligim ligjor, sonte, me dakordimin e Albin Kurtit, që të pranojë një marrëveshje të dëmshme që Asociacionin e ka në qendër. Ditët në vijim vazhdojnë negociatat për datat e zbatimit të Asociacionit dhe marrëveshjeve të tjera. Por ditëve në vijim do të vazhdojë rezistenca qytetare kundër kësaj marrëveshjeje. Dorëzimi i Albin Kurtit nuk do të jetë edhe dorëzim i Kosovës!”, ka shkruar Molliqaj në Facebook.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se në takimin në Bruksel me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, u pajtuan për përmbajtjen e propozimit evropian për normalizimin e raporteve mes dy shteteve.
“Ishte konfirmim që propozimi evropian është i pranueshëm dhe i pandryshueshëm. Ecja përpara do të jetë për planin e zbatimit. Jemi në një rrugë të mbarë dhe njëkahëshe të normalizimit të marrëdhënieve. Është marrëveshje e simetrisë, e fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimit në të ardhmen”, tha Kurti, duke theksuar se takimi në Bruksel ishte pozitiv dhe konstruktiv.
Pas takimit të Kurtit dhe Vuçiqit nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, shefi i diplomacisë së bllokut evropian, Josep Borrell, tha se palët u shprehën të gatshme të vazhdojnë me zbatimin e propozimit.
Megjithatë, në takimin e 27 shkurtit palët nuk nënshkruan asnjë dokument. Kurti pretendoi se Serbia nuk ishte e gatshme për diçka të tillë.
“Unë nuk kam nënshkruar sepse pala tjetër nuk ishte i gatshëm për të nënshkruar. Unë mendoj që është dëm që nuk është nënshkruar sonte, meqenëse u pajtuam”, theksoi Kurti.

Back to top button