LDK reagon pas takimit në Bruksel: U vërtetuan brengat tona

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka reaguar pas përfundimit të takimit në mes të kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në Bruksel.
Në një komunikatë mes tjerash thuhet se nga deklarimi i kryeministrit mbi këtë marrëveshje tashmë të dakorduar, por ende të paprezantuar në Kuvendin e Kosovës, u vërtetuan brengat e LDK-së, të bëra tashmë publike.
“Kjo marrëveshje nuk është finale dhe nuk e përmban njohjen e ndërsjellë. Për më tepër ajo mban ambiguitet interpretues mbi statusin politik të dy shteteve. Gjithçka përveç njohjes – ishte qëllimi i Serbisë. Gjithçka përveç njohjes ka kjo marrëveshje sot, tashmë e pranuar nga palët”, thuhet në komunikatë.
LDK konsideron se menaxhimi tërësisht i gabuar i procesit të dialogut nga kryeministri i Kosovës përgjatë dy viteve të fundit, ka zhvendosur procesin e dialogut nga një marrëveshje përfundimtare e ligjërisht të obligueshme në një marrëveshje bazë, pa njohje në të dhe me vazhdimësi dialoguese për vitet e ardhshme. Përfundimi në mes të zgjedhjes së në marrëveshje të tillë dhe izolimit eventual të Kosovës janë përgjegjësi e këtij kryeministri, thuhet mes tjerash në reagimin e LDK-së.
Pas takimit trepalësh me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell ka deklaruar se liderët e dy vendeve janë pajtuar që nuk nevojiten diskutime të tjera sa i përket planit evropian./21Media

Back to top button