Mori stemën e FIFA-s, gjyqtarja Rita Vehapi rrëfen rrugën drejt suksesit

Pas sukseseve të jashtëzakonshme në xhudo, boks, skitari e sporte të tjera, radha është që Kosova të përfaqësohet në arenën ndërkombëtare nga një vajzë edhe në ndarjen e drejtësisë në ndeshjet e futbollit.
Është gjyqtarja Rita Vehapi ajo e cila së fundi ka marr stemën e FIFA-s, hap ky që do t’ia mundësojë asaj të ndajë drejtësinë në ndeshjet ndërkombëtare.
Vehapi tregon se fillimet nuk ishin aspak të lehta.
“Sikur të kishim folur për kohën e mëhershme ka qenë vërtetë një profesion i vështirë. Këtë gjë e ka përjetuar Lumturie Muhadri, ajo ka qenë para nesh dhe atëherë me të vërtetë ka qenë vështirë sepse ato peripetitë në të cilat kanë kaluar këta, djemtë thuajse e kanë pasur të vështirë e lëre më vajzat, por tani, sidomos në dy vitet e fundit ka interesim të madh të vajzave shumë për referim edhe mendoj që çdo gjë që ti punon për atë gjë, normal vështirësi do të ketë gjithmonë për kur e do dhe e bën, atëherë mendoj që ato vështirësi i kalon pak më lehtë se sa që ballafaqohesh me to”, tha Vehapi.
Madje, të qenit gjyqtare në Kosovë bëhet edhe më i vështirë kur shikohet nga aspekti financiar. Vehapi tregon se në shumë raste është e vështirë që edhe të mbyllet muaji nga të ardhurat prej referimit.
“Të them të drejtën nuk është edhe keq, duke pasur parasysh në sportet tjera, aq sa kam dëgjuar nga shoqëria ime, pagat tek nivelet e tjera janë më pak se tek ne, por prapë se prapë të them të drejtën për të jetuar është pak e vështirë sepse tani po e dimë se si po shkon rrjedha e jetës, është bërë jeta shumë dinamike dhe shumë problem të përmbyllet muaji ashtu me mbulesën që na e bëjnë por pritet që të na përkrahin edhe më shumë dhe të ngritet mbështetja financiare dhe besoj se do të vijë me një përfundim të mirë.”, shtoi Vehapi.
Tutje, ajo flet edhe për përkushtimin e madh që nevojitet për të ndarë drejtësinë në një ndeshje futbolli
“Prej jashtë çdo gjë duket e lehtë. Çdo profesion, një njeri kur është përballë teje vetëm të shikon dhe nuk është duke e bërë të njëjtën gjë me ty normal që do t’i duket shumë e lehtë, por realisht në referim, e sidomos, pa e anashkaluar pjesën e asistentëve sepse edhe ata kanë rëndësi shumë të madhe por referi kryesor ka më shumë vendime në lojë. Pjesa e koncentrimit duhet të jetë jo 100% por 101% do të thotë duhet të jesh komplet i fokusuar sepse një detaj i vogël nëse të ikën të del loja komplet nga kontrolli dhe atëherë nuk e ke më lojën nën kontroll.”, vazhdoi ajo.
Për përkushtimin dhe punën e saj të palodhshme, Rita tashmë është pajisur me stemën e FIFA-së.
“Refere kryesore në Kosovë me të vërtetë kemi shumë pak femra edhe vet fakti që e kam zgjedhur këtë opsion është se nuk ka pasur, është vetëm një, ajo e ka moshën pak më të re. FIFA i ka kriteret e veta që duhet të plotësohen dhe ajo është Festina Koxha dhe ajo ende nuk e ka përmbushur kriterin e moshës për ta nominuar. Ajo ka qenë refere para meje, por për shkak të viteve nuk ka mundur të nominohet, kështu që kanë vazhduar me mua, edhe pse e kam bërë tani një vit përvojë vetëm por ka qenë e deleguar në shumë ndeshje edhe kjo ka qenë njëra nga arsye dhe ata kanë qenë duke na vëzhguar çfarë po bëjmë, si po shkon dhe kanë ardhur në përfundim që unë është dashur të përzgjedhem.”, bëri të ditur ajo.
Pasi t’i kryejë edhe testet e fundit në UEFA, Vehapi thotë se pret që të delegohet për të ndarë drejtësinë në ndeshjet e nivelit ndërkombëtar.
“Unë pretendoj që kur të shkoj atje t’i përfundoj ato teste, me vullnet shumë jam duke pritur dhe po punoj në atë aspekt, po shpresoj që mos të ndodh e kundërta edhe pse të mos më zë në befasi për shkak të kësaj pjesës që më ka rënë shumë shpejtë të përgatitem dhe nganjëherë di ajo faza e lodhjes të na zë në befasi, por në rast se i përfundoj, pres që ata të më delegojnë nëpër ndeshje më të reja pak sepse është vetëm fillimi sepse duhet pasur një bagazh të mirë për t’i udhëhequr ndeshjet e nivelit më të lartë. Por, pres njëherë çfarë po ndodh më këtë pjesën e përgatitjes dhe pastaj të shohim.”, tha në fund Vehapi.
Megjithëse thotë se ka ende paragjykime për vajzat që merren me futboll në Kosovë, ajo inkurajon të gjitha vasaht e reja që të këmbëngulin në realizimin e dnrrës së tyre për t’u marr me futboll në vendin tonë./kp

Back to top button