”Mos e harroni fatzine, se lë gruan e shtëpinë t’u kullosë bagëtinë”

Sot janë bërë 91 vjet që nga vdekja e Anton Zako Çajupit.
Andon Z. Çajupi ishte poet dhe shkrimtar shumë i njohur. Çajupi është lindur më 27 mars 1866-tës. Ishte poet i shquar, veprimtar patriot dhe demokrat revolucionar shqiptar. Më 1887, pasi ka bërë një vizitë në Sheper, që ishte e fundit për të, Çajupi ka shkuar në Zvicër, atje ka kryer studimet e larta dhe ka marrë titullin e doktorit të drejtësisë. Ndërsa, në Kajro, ku ishte vendosur për gjithnjë, kishte punuar si avokat.
Në rrethet e gjera atdhetare ishte bërë i njohur me një artikull që ka shkruar në kuadrin e diskutimit rreth çështjes së alfabetit, në të cilin ka dalë kundër adoptimit të alfabetit grek për gjuhën shqipe. Më 1909 ai kishte botuar shkrimin e njohur ”Klubi i Selanikut”, një pamflet dërrmues kundër armiqve të brendshëm të lëvizjes kombëtare shqiptare.
Më 1919, Çajupi ishte zgjedhur kryetar i shoqërisë “Vëllazëria” me qendër në Kajro. Ai ishte frymëzuesi dhe njëri nga hartuesit e memorandumit që shqiptarët e Egjiptit i dërguan Konferencës së Paqes më 1919 në mbrojtje të tërësisë territoriale të Shqipërisë. Ndërsa, më 1920 ka themeluar “Shoqërinë e Miqve”, e cila në vitin 1928 e ka ngritur zërin kundër shpalljes së monarkisë nga Ahmet Zogu.
Anton Zako Çajupit ka vdekur më 11 korrik të vitit 1930 në Egjipt.
Disa nga poezitë e tij më të njohura janë: ”Besoj”, ”Dheu”, ”Dashuria”, ”Fyell’ i bariut”, ”Baba Tomori”, ”Kurbeti”, ”Trim i Shqipërisë”./21Media
Poezi nga Anton Zako Çajupi
Fyell’ i Bariut 
Bariu, shokë, bariu,
kur gjëmon e fryn veriu,
është përjashta fatziu,
e rreh breshëri dhe shiu!
Barinë, shokë, barinë,
mos e harroni fatzine,
se lë gruan e shtëpinë
t’u kullosë bagëtinë.
kullotni, moj bagëti,
ti, ti, ti. . .
Kullotni, biro, kullotni,
kur të vdes te me kujtoni,
Ndjesë pastë! — të më thoni.
Shikoni barin’ e gjore:
në diell a në dëborë,
bariu me shkop në dorë
ruan deshtë me këmborë.
Vështronje barinë mirë,
me të ngrën’ e me të pirë,
t’u marrë dhëntë pa gdhirë,
t’i kullosë me dëshirë,
të rrijë bashkë me to,
to, to, to.
Hani, moj bagëti, hani,
kur të vdes do të më qani,
për mua zi do te mbani!

Back to top button